Ezekieli 31
Vitin e njëmbëdhjetë, muajin e tretë, ditën e parë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
"Bir njeriu, i thuaj Faraonit, mbretit të Egjiptit dhe turmës së tij: Kujt i ngjet ti në madhështinë tënde?
Ja, Asiria jote ishte një kedër Libani, me degë të bukura, me hijen e një pylli, me trung të gjatë dhe me majë që ngrihej midis degëve të dëndura.
Ujrat e bënin të rritej, uji i nëndheshëm e kishte bërë të lartë, me lumenjtë e tij që rridhnin rreth e qark vendit ku ishte mbjellë, ndërsa u dërgonte rrëketë e tij tërë drurëve të fushës.
Prandaj lartësia e saj ishte ngritur mbi të gjithë drurët e fushës, degët e tij ishin shumuar, ato ishin zgjatur nga bollëku i ujrave gjatë rritjes së tij.
Tërë zogjtë e qiellit bënin folenë midis degëve të tij, tërë kafshët e fushës pillnin nën degët e tij, dhe të gjitha kombet e mëdhenj rrinin në hijen e tij.
Ishte i bukur në madhështinë e tij për gjatësinë e degëve të tij, sepse rrënja e tij ndodhej pranë ujrave të bollshme.