Fjalët e urta 13
Një bir i urtë dëgjon mësimet e atit të vet, por tallësi nuk e dëgjon qortimin.
Nga fryti i gojës së tij njeriu do të hajë atë që është e mirë, por shpirti i të pabesëve do të ushqehet me dhunë.
Kush kontrollon gojën e tij mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit.
Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë, por shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht.
I drejti e urren gënjeshtrën, por i pabesi është i neveritshëm dhe do të turpërohet.
Drejtësia ruan atë që ndjek një rrugë të ndershme, por pabesia e rrëzon mëkatarin.
Ka nga ata që sillen si një i pasur, por nuk kanë asgjë; përkundrazi ka nga ata që sillen si një i varfër, por kanë shumë pasuri.
Pasuritë e një njeriu shërbejnë për të shpërblyer jetën e tij, por i varfëri nuk ndjen asnjë kërcënim.
Drita e të drejtëve shkëlqen bukur, por llamba e të pabesëve do të shuhet.
Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave.