Gjyqtarët 3
Këto janë kombet që Zoti la me qëllim që me anë të tyre të vinte në provë Izraelin, domethënë tërë ata që nuk kishin njohur luftërat e Kanaanit:
(kjo kishte si qëllim të vetëm t'ua bënte të njohur dhe t'u mësonte bijve të Izraelit luftën, të paktën atyre që nuk e kishin njohur më parë)
pesë princat e Filistejve, tërë Kananejtë, Sidonitët dhe Hivejtë që banonin në malin e Libanit, nga mali i Baal-Hermonit deri në hyrje të Hamathit.
Këto kombe u lanë për të vënë në provë Izraelin, për të parë në se ata do t'u bindeshin urdhërimeve që Zoti u kishte dhënë etërve të tyre me anë të Moisiut.
Kështu bijtë e Izraelit banuan në mes të Kananejve, të Hitejve, të Amorejve, të Perezejve, të Hivejve dhe të Jebusejve;
u martuan me bijat e tyre dhe u dhanë bijat e veta për gra bijve të tyre, dhe u shërbyen perëndive të tyre.
Kështu bijtë e Izraelit bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit; e harruan Zotin, Perëndinë e tyre, dhe i shërbyen Baalit dhe Asherothit.
Prandaj zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit, dhe ai i dorëzoi në duart e Kushan-Rishathaimit për tetë vjet me radhë.