Isaia 14
Me qenë se Zotit do t'i vijë keq për Jakobin, ai do të zgjedhë përsëri Izraelin dhe do t'i rivendosë në tokën e tyre; të huajtë do të bashkohen me ta dhe do të lidhen me shtëpinë e Jakobit.
Popujt do t'i marrin dhe do t'i çojnë përsëri në vendin e tyre dhe shtëpia e Izraelit do t'i zotërojë në vendin e Zotit si robër dhe robinja; do të zënë robër ata që i kishin zënë robër dhe do të mbretërojnë mbi shtypësit e tyre.
Kështu që ditën në të cilën Zoti do t'i japë prehje lodhjes sate, shqetësimit tënd nga skllavëria e rëndë së cilës i ishe nënshtruar,
ti do të shqiptosh këtë sentencë mbi mbretin e Babilonisë dhe do të thuash: "Ashtu si mbaroi shtypësi, tagrambledhja e arit ka mbaruar.
Zoti e ka thyer shkopin e të pabesëve, skeptrin e tiranëve.
Ai që në tërbim e sipër godiste popujt me goditje të pandërprera, ai që sundonte me zemërim mbi kombet tani përndiqet pa mëshirë.
Mbarë dheu pushon i qetë, njerëzit shpërthejnë në britma gëzimi.