Jeremia 37
Mbreti Sedekia, bir i Josias, që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, e kishte bërë mbret në vendin e Judës, mbretëroi në vend të Koniahut, birit të Jehojakimit.
Por as ai, as shërbëtorët e tij, as populli i vendit nuk i dëgjuan fjalët që Zoti kishte shqiptuar me anë të profetit Jeremia.
Mbreti Sedekia dërgoi Jehukalin, birin e Shelemiahut, dhe priftin Sofoni, birin e Maasejahut, te profeti Jeremia për t'i thënë: "Oh, lutju për ne Zotit, Perëndisë tonë".
Jeremia shkonte e vinte në popull, sepse akoma nuk e kishin shtënë në burg.
Ndërkohë ushtria e Faraonit kishte dalë nga Egjipti; sapo Kaldeasit që rrethonin Jeruzalemin e mësuan këtë lajm, u larguan nga Jeruzalemi.
Atëherë fjala e Zotit iu drejtua profetit Jeremia, duke thënë:
"Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Do t'i thoni kështu mbretit të Judës që ju ka dërguar për t'u konsultuar me mua: Ja, ushtria e Faraonit, që kishte dalë për t'ju ndihmuar, do të kthehet në vendin e vet, në Egjipt.
Kaldeasit do të kthehen dhe do të luftojnë kundër këtij qyteti, do ta shtien në dorë dhe do ti vënë flakën".