Jeremia 52
Sedekia ishte njëzetenjë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi në Jeruzalem njëmbëdhjetë vjet. E ëma quhej Hamutal, e bija e Jeremia nga Libnahu.
Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha gjërat ashtu si kishte bërë Jehojakimi.
Kjo ndodhi në Jeruzalem dhe në Judë për shkak të zemërimit të Zotit, që më në fund i dëboi nga prania e tij. Pastaj Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë.
Në vitin e nëntë të mbretërimit të tij, në muajin e dhjetë, më dhjetë të muajit, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij kundër Jeruzalemit, fushoi kundër tij dhe ndërtoi rreth e rrotull ledhat.
Kështu qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretit Sedekia.
Në muajin e katërt, më nëntë të muajit, uria ishte aq e rëndë në qytet, sa që nuk kishte më bukë për popullin e vendit.
Atëherë u hap një e çarë në muret dhe të gjithë luftëtarët ikën, duke dalë natën nga qyteti nëpër portën midis dy mureve, e cila ndodhej pranë kopshtit të mbretit, megjithëse Kaldeasit ishin rreth qytetit. Kështu ata morën rrugën e Arabahut.