Jobi 7
"A nuk kryen vallë një punë të rëndë njeriu mbi tokë dhe ditët e tij a nuk janë si ditët e një argati?
Ashtu si skllavi dëshiron fort hijen dhe ashtu si argati pret mëditjen e tij,
kështu edhe mua më ranë muaj fatkeqësie dhe m'u caktuan net me dhembje.
Sa shtrihem, them: "Kur do të ngrihem?". Por nata është e gjatë dhe jam vazhdimisht i shqetësuar deri në agim.
Mishi im është i mbuluar me krimba dhe me buca dheu, lëkura ime plasaritet dhe është bërë e pështirë.
Ditët e mia janë më të shpejta se masuri i një endësi dhe po harxhohen pa shpresë.
Kujto që jeta ime është një frymë; syri im nuk do të shohë më të mirën.
Syri i atij që më shikon nuk do të më shohë më; sytë e tu do të jenë mbi mua, por unë nuk do të jem më.
Ashtu si reja davaritet dhe nuk duket më, kështu ai që zbret në Sheol nuk kthehet më;
nuk do të kthehet më në shtëpinë e tij, dhe banesa e tij nuk do ta njohë më.
Prandaj nuk do ta mbaj gojën të mbyllur do të flas në ankthin e frymës time; do të ankohem në hidhërimin e shpirtit tim.