Mateu 3
Tani në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori, që predikonte në shkretëtirën e Judesë,
dhe thoshte: ''Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!''
Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia kur tha: ''Një zë i atij që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"''.
Tani Gjoni vet kishte veshur një rrobë prej leshi të devesë dhe një brez prej lëkure në bel; ai ushqehej me karkaleca dhe mjaltë të egër.
Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai,
dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre.
Por ai, kur pa se shumë farisenj dhe saducenj po vinin për t'u pagëzuar tek ai, u tha atyre: ''Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t'i arratiseni zemërimit që po vjen?
Jepni pra fryte të denja të pendesës!
Dhe mos t'ju shkojë mendja të thoni me vete: "Ne kemi Abrahamin për atë"; sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve.