Loading...
Mbas forcimit të mbretërisë dhe të pushtetit të tij, Roboami braktisi ligjin e Zotit bashkë me tërë Izraelin.
Në vitin e pestë të mbretit Roboam, Shishaku, mbret i Egjiptit, doli kundër Jeruzalemit (sepse ata kishin kryer mëkate kundër Zotit),
me njëmijë e dyqind qerre dhe gjashtëdhjetë mijë kalorës; dhe bashkë me të erdhi nga Egjipti një popull i pallogaritshëm: Libianë, Sukej dhe Etiopias.
Ai pushtoi qytetet e fortifikuara që ishin pronë e Judës dhe arriti deri në Jeruzalem.
Atëherë profeti Shemajah shkoi te Roboami dhe te krerët e Judës, që ishin mbledhur në Jeruzalem nga frika e Shishakut, dhe u tha atyre: "Kështu thotë Zoti: "Ju më kini braktisur, prandaj edhe unë ju braktis në duart e Shishakut"".
Atëherë princat e Izraelit dhe mbreti u përulën dhe thanë: "Zoti është i drejtë".
Kur Zoti pa që ata ishin përulur, fjala e Zotit iu drejtua Shemajahut, duke i thënë: "Me qenë se ata u përulën, unë nuk do t'i shkatërroj, por do t'ju jap pas pak çlirimin dhe zemërimi im nuk do të kthehet kundër Jeruzalemit nëpërmjet Shishakut.
WordProject