Loading...
Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
"Tani, bir njeriu, nuk do të gjykosh ti, nuk do ta gjykosh qytetin gjakatar? Bëji, pra, të njohura të gjitha veprimet e tij të neveritshme.
Pastaj thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Qyteti derdh gjak në mes të tij për të sjellë kohën e tij; përveç kësaj bën idhuj kundër vetvetes për t'u ndotur.
Për gjakun që ke derdhur je bërë fajtor dhe je ndotur për idhujt që ke sajuar. Ke afruar ditët e tua dhe ke arritur në fund të viteve të tua; prandaj do të të bëj turpin e kombeve dhe objekt talljeje për të gjitha vendet.
Ata që janë afër dhe ata që janë larg teje do të tallen me ty o i molepsur për lavdi dhe plot çrregullim.
Ja princat e Izraelit: secili ka përdorur pushtetin e tij për të derdhur gjak te ti.
Te ti përçmohet ati dhe nëna, në mes teje shtypet i huaji, te ti keqtrajtohet jetimi dhe e veja.
Ti ke përçmar gjërat e mia të shtrënjta dhe ke përdhour të shtunat e mia.
Te ti ka njerëz që shpifin për të derdhur gjak, te ti ka njerëz që hanë mbi male, në mes teje ka njerëz që kryejnë kobe.
WordProject