Loading...
Tani dy ditë më vonë ishte Pashka dhe festa e të Ndormëve; dhe krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin.
Por thonin: ''Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë nga populli''.
Tani ai ishte në Betania, në shtëpinë e Simonit lebroz, dhe ndërsa ishte në tryezë, hyri një grua me një enë alabastri me vaj të parfumuar me nard të vërtetë, shumë të kushtueshëm; ajo e theu enën prej alabastri dhe ia derdhi vajin mbi krye.
Disa u indinjuan midis tyre dhe thanë: ''Përse bëhet gjithë ky shpenzim i kotë i vajit?
Sepse ky vaj mund të shitej për më shumë se treqind denarë dhe këto t'u jepeshin të varfërve''. Dhe ishin të indinjuar ndaj asaj.
Por Jezusi tha: ''Lëreni të qetë; pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje.
Sepse të varfërit do t'i keni gjithmonë me ju; dhe, kur të doni, mund t'u bëni mirë; por mua nuk do të më keni gjithmonë.
Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim.
WordProject