Loading...
Zoti i foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:
"Numëroni bijtë e Kehathit, midis bijve të Levit, në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre,
nga mosha tridhjetë vjeç e lart deri në moshën pesëdhjetë vjeç, të të gjithë atyre që hyjnë në shërbim për të punuar në çadrën e mbledhjes.
Ky është shërbimi i bijve të Kehathit në çadrën e mbledhjes, që ka të bëjë me gjërat shumë të shenjta.
Kur kampi duhet lëvizur, Aaroni dhe bijtë e tij do të vinë për të hequr velin e ndarjes dhe do të mbulojnë me të arkën e dëshmisë;
pastaj do të vënë mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës, do të shtrijnë mbi të një cohë krejt ngjyrë vjollce dhe do të fusin në të shtizat e saj.
Do të shtrijnë një cohë ngjyrë vjollce mbi tryezën e bukëve të paraqitjes dhe do të vënë mbi të pjatat, gotat, legenët dhe kupat e libacioneve; mbi të do të jetë edhe buka e përjetshme.
Mbi këto gjëra do të shtrijnë një cohë të kuqe të ndezur dhe mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës, dhe do të fusin në të shtizat.
WordProject