Loading...
Mblidhuni, mblidhuni bashkë, o komb i pacipë,
para se dekreti të ketë efekt, para se dita të kalojë si byku, para se të bjerë mbi ju zemërimi i zjarrtë i Zotit, para se të vijë mbi ju dita e zemërimit të Zotit.
Kërkoni Zotin ju të gjithë, të përulurit e dheut, që zbatoni ligjin e tij. Kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë. Ndofta do të jeni të mbrojtur në ditën e zemërimit të Zotit.
Sepse Gaza do të braktiset dhe Ashkeloni do të bëhet një shkreti; do të dëbojnë Ashdodin me dhunë në mes të ditës, dhe Ekroni do të çrrënjoset.
Mjerë banorët e bregut të detit, mjerë kombi i Kerethejve! Fjala e Zotit është kundër teje, o Kanaan, vend i Filistejve: "Unë do të të shkatërroj dhe nuk do të mbetet më asnjë i gjallë".
Kështu bregu i detit do të jetë i tëri kullotë me banesa për barinjtë dhe vathë për kopetë.
Bregdeti do t'i përkasë mbeturinës së shtëpisë së Judës; në këto vende do të kullotin kopetë; në mbrëmje do të pushojnë në shtëpitë e Ashkelonit, sepse Zoti, Perëndia i tyre, do t'i vizitojë dhe do t'i kthejë nga robëria.
WordProject