Loading...
Jakobi ngriti sytë, vështroi dhe pa që po vinte Esau, që kishte me vete katërqind burra. Atëherë i ndau bijtë e tij midis Leas, Rakelës dhe dy shërbyeseve të tij.
Në krye vuri shërbyeset dhe bijtë e tyre, pastaj Lean dhe bijtë e saj dhe së fundi Rakelën dhe Jozefin.
Ai vetë kaloi para tyre dhe u përkul deri në tokë shtatë herë deri sa arriti pranë vëllait të vet.
Atëherë Esau vrapoi drejt tij, e përqafoi, iu hodh në qafë dhe e puthi; dhe që të dy qanë.
Pastaj Esau ngriti sytë, pa gratë e fëmijët dhe tha: "Kush janë këta me ty?". Jakobi iu përgjigj: "Janë bijtë që Perëndia pati mirësinë t'i japë shërbyesit tënd".
Atëherë u afruan shërbyeset, ato dhe bijtë e tyre, dhe u përkulën.
U afruan edhe Lea dhe bijtë e saj, dhe u përkulën. Pastaj u afruan Jozefi dhe Rakela, dhe u përkulën edhe ata.
Esau tha: "Çfarë ke ndërmend të bësh me tërë atë grup që takova?". Jakobi u përgjigj: "Éshtë për të gjetur hir në sytë e zotërisë tim".
Atëherë Esau tha: "Kam mjaft për vete, o vëllai im; mbaj për vete atë që është jotja".
WordProject