Romakeve 15
Edhe ne, që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët dhe jo t'i pëlqejmë vetes.
Secili nga ne le t'i pëlqejë të afërmit për të mirë, për ndërtim,
sepse edhe Krishti nuk i pëlqeu vetes së tij, por sikurse është shkruar: ''Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua''.
Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë.
Dhe Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit ju dhëntë juve të keni po ato mendime njeri me tjetrin, sipas Jezu Krishtit,
që me një mendje të vetme dhe një gojë të vetme ta përlëvdoni Perëndinë, Atin e Perëndisë tonë Jezu Krisht.
Prandaj pranoni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi për lavdinë e Perëndisë.
Tani unë po ju them se Jezu Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve,
dhe i pranoi johebrenjtë për mëshirë të vet, që ta lëvdojnë Perëndinë sikurse është shkruar: ''Për këtë do të të përlëvdoj ndër kombe, dhe do t'i këndoj lavdërime emrit tënd!''.