Zbulesa 13
Dhe u ndala mbi rërën e detit. Dhe pashë të ngjitej nga deti një bishë, që kishte dhjetë brirë dhe shtatë krerë, dhe mbi brirë dhjetë kurora dhe mbi krerë emra blasfemie.
Dhe bisha që pashë i ngjante një leopardi; këmbët e saj ishin si të ariut dhe goja e saj si ajo e luanit; dhe dragoi i dha asaj fuqinë e vet, fronin e vet dhe autoritet të madh.
Edhe pashë një nga krerët e saj si të plagosur për vdekje; por plaga e saj vdekjeprurëse u shërua; dhe gjithë dheu u mrekullua pas bishës.
Dhe adhuruan dragoin që i dha autoritet bishës dhe adhuruan bishën duke thënë: “Kush i ngjan bishës? Kush mund të luftojë kundër saj?.”
Dhe iu dha një gojë që flet gjëra të mëdha dhe blasfemi; dhe iu dha pushtet të veprojë për dyzet e dy muaj.
Dhe ajo hapi gojën e vet për të blasfemuar kundër Perëndisë, për të blasfemuar emrin e tij, tabernakullin e tij dhe ata që banojnë në qiell.
Dhe iu dha t’u bëjë luftë kundër të shenjtorëve dhe t’i mundë; dhe iu dha pushtet mbi çdo fis, gjuhë dhe komb.
Dhe do ta adhurojnë të gjithë banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës së Qengjit, që ishte vrarë që nga krijimi i botës.