Loading...
Kurani · Tanzil Project
بِسمِ اللَّهِ الرَّحمٰنِ الرَّحيمِ
الحَمدُ لِلَّهِ رَبِّ العٰلَمينَ
الرَّحمٰنِ الرَّحيمِ
مٰلِكِ يَومِ الدّينِ
إِيّاكَ نَعبُدُ وَإِيّاكَ نَستَعينُ
اهدِنَا الصِّرٰطَ المُستَقيمَ
صِرٰطَ الَّذينَ أَنعَمتَ عَلَيهِم غَيرِ المَغضوبِ عَلَيهِم وَلَا الضّالّينَ
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
E tërë lavdia i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve,
të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh,
Sunduesit në Ditën e Gjykimit (përgjegjësisë-shpërblimit)!
Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë!
Udhëzona (dhe përforcona) në rrugën e drejtë!
Në rrugën e atyre, të cilët i begatove me të mira, jo në të atyre që kundër vetes tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten!
Allahu është i falënderuar nga vetvetiu. Hamd i bëhet vetëm Zotit, askujt tjetër në këtë botë, andaj fjala hamd më së miri është të mbetet në kuptimin e vet ashtu si e ka thënë Zoti, pse shprehja: falënderim ose lavdërim nuk është adekuate me domethënien e fjalës hamd. Për shprehjen falënderim e kemi në gjuhën arabe shprehjen: shukr, e për shprehjen lavdërim e kemi: med-h. Falënderimi ose lavdërimi mund t'i shprehet edhe dikujt tjetër në shenjë mirënjohje, ndërsa hamdi askujt përveç Allahut. Fjala: Allah është emër i veçantë i Zotit dhe nëpërmjet këtij emri shprehet bindja dhe besimi se vetëm Ai është i adhuruar, se vetëm Ai meriton të adhurohet, andaj kur themi Allah, ne, përveç besimit në Zotin një, shprehim besimin se Atë e adhurojmë dhe e respektojmë. Ai që nuk e adhuron dhe nuk e respekton, ai emrin Allah e shprehë jo realisht. „Rabb" do të thotë: Zoti, krijuesi i gjithësisë, Udhëheqësi, Rregulluesi, Komanduesi, i Gjithfuqishmi etj., Zot i atij që e beson si edhe i atij që nuk e beson dhe nuk e adhuron. Zoti i botërave. Fjala "Aleminë" është shumës i fjalës Alem, e fjala Alem do të thotë botë. Me fjalën botërat ndonjëherë ka për qëllim të shprehë kuptimin e përgjithshëm që përfshinë këtë ekzistencë, jetën në varreza - Berzah, botën tjetër. Ndonjëherë shpreh kuptimet: bota shtazore, bota bimore, bota minerale. Përdoret edhe për botën truporefizike e botën shpirtërore. Gjithashtu fjala aleminë ndonjëherë ka kuptim të veçantë dhe me te shprehet vetëm bota njerëzore si në ajetin 47 dhe në ajetin 122 të Bekares dhe në ajetin 96 të Ali Imran. 1 Origjinali i këtij emri në gjuhën arabe është All-llah. * Vëni re: Yllat shënojnë fundin e ajeteve për të cilët jepet komentimi.
Allahu është Rrahman. Shprehja Rrahman ndonjëherë është atribut i Zotit e ndonjëherë emër i Zotit. Kur është në pozitën e cilësorit vjen pas emrit Allah, sikur në këtë rast, e kur është në kuptim të emrit nuk vjen pas emrit Allah, por si emër i veçantë si në ajetin 110 Isra, 18 dhe 92 Merjem, 42 Enbija dhe 60 Furkan, dhe jep të kuptohet për Zotin e fuqishëm e të madhëruar. Rrahman pra është cilësi e vetes së Tij-sifatu dhatihi, ndërsa Rrahim cilësi e punës së Tij-sifatu fi'lihi. Të gjitha cilësitë si: bamirësia, butësia, mëshira e madhe etj., janë të përmbledhura në këtë emër të bukur të Zotit. Allahu është Rrahim është Mëshirëbërës ndaj besimtarëve, shih ajetin 117 Tevbe dhe 43 Ahzabë. Allahu është i vetmi udhëheqës në ditën e gjykimit, në ditën e kijametit, në ditën kur dhurohen shpërblimet dhe ekzekutohen ndëshkimet. Në atë ditë mbizotëron vetëm drejtësia e Tij e përsosur. Falënderimin në kuptimin më të lartë ia shprehim vetëm Zotit, i cili na dhuroi të mira, dhe është duke i vazhduar ato, e shpresojmë se do të na i dhurojë edhe në ditën e gjykimit. Derisa e tërë çështja në këtë jetë, madje edhe në jetën tjetër, është vetëm në kompetencën e Allahut, atëherë çdo veprim e bëjmë në shenjë adhurimi ndaj Tij dhe për çdo nevojë i drejtohemi vetëm Atij, sepse çdo adhurim drejtuar përveç Tij është i kotë, le të jetë ai pejgamber, melek, njeri i mirë a diç tjetër. Edhe për çdo nevojë ose për çdo ndihmë duhet kërkuar vetëm prej Tij, pse dora e mëshirës dhe e ndihmës së Tij gjithnjë është e shtrirë për ata, të cilët i drejtohen sinqerisht. Nëse dikuj i duket se nuk i dhurohet ndihma e Tij, ai duhet ta korrigjoje vetveten dhe duhet ta dijë se gabimi është tek ai, e jo te ndihma e Zotit. Pasiqë vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë, e lusim të na ndihmojë në të gjitha veprimet dhe adhurimet tona ashtuqë ta gjejmë rrugën e fatbardhësisë, rrugën e atyre që ishin para nesh e të cilëve u dhuroi të gjitha të mirat, rrugën e pejgamberëve dhe njerëzve të mirë. E lusim të na ndihmojë që të mos i afrohemi rrugës së gabuar, rrugës së atyre që me fajin e vet e merituan mallkimin, dhe me fajin e vet u larguan nga e vërteta. Allahu na ka dhuruar ndihmën e vet dhe me ndihmën e Tij jemi udhëzuar në rrugën e drejtë, e tash prej Tij kërkojmë të na përforcojë që ta vazhdojmë atë rrugë derisa të arrijmë tek ata, të cilët i pajisi me të gjitha të mirat. Ky është kuptimi i shprehjes: “Ihdina” - udhëzona, në këtë sure. Hidajeti i shprehur në shumë vende në Kur'an, ndonjëherë ka kuptimin udhëzim, udhërrëfim, e ndonjëherë udhëzim së bashku me ndihmë. Një lloj udhëzimi apo udhërrëfimi u është ofruar të gjithë njerëzve të botës, por disa e pranuan dhe e gëzuan, e disa të tjerë nuk e pranuan atë udhëzim, andaj mbetën të humbur e të hutuar. Në këtë ajet shpreh qëllimin e udhëzimit të shoqëruar me ndihmën e Zotit, pse besimtarët janë të udhëzuar, por kërkojnë ndihmën e Zotit që atë udhëzim në rrugën e drejtë ta vazhdojnë dhe ta përforcojnë edhe më shumë, e nuk është fjala se janë jashtë rrugës e kërkojnë të udhëzohen. Aminë! O zot pranoje lutjen tonë! Kjo shprehje nuk është pjesë e kësaj sure e as pjesë e Kur'anit, por një shprehje që thuhet në fund të lutjes.