2 Samuelit 17
Pastaj Ahithefeli i tha Absalomit: "Lermë të zgjedh dymbëdhjetë mijë njerëz, dhe të nisem që sonte e ta ndjek Davidin;
duke e sulmuar sa është i lodhur dhe i dobët; do ta tremb dhe gjithë njerëzit që janë me të do të ikin; kështu do të mund të godas vetëm mbretin,
dhe tërë popullin do ta kthej te ti. Vdekja e njeriut që ti kërkon do të favorizojë kthimin e të gjithëve; kështu tërë populli do të jetë në paqe".
Ky propozim u pëlqeu Absalomit dhe të gjithë pleqve të Izraelit.
Megjithatë Absalomi tha: "Thirrni edhe Arkitin Hushai dhe të dëgjojmë çfarë ka për të thënë për këtë çështje".
Kur Hushai erdhi tek Absalomi, ky i tha: "Ahithofeli ka folur në këtë mënyrë; a duhet të veprojmë si ka thënë ai? Përndryshe, bëj një propozim ti!".
Hushai iu përgjigj Absalomit: "Këtë radhë këshilla e dhënë nga Ahithofeli nuk është e mirë".
Hushai shtoi: "Ti e njeh atin tënd dhe njerëzit e tij që janë trima dhe të egërsuar në kulm, si një arushë në fushë së cilës ia kanë marrë këlyshët; përveç kësaj ati yt është një luftëtar dhe nuk ka për ta kaluar natën me popullin.