Amosi 5
Dëgjoni këtë fjalë, këtë vajtim që unë ngre mbi ju, o shtëpi e Izraelit.
Virgjëresha e Izraelit ra dhe nuk do të ngrihet më; ajo rri shtrirë në tokën e vet dhe askush nuk e ngre.
Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Qyteti që dilte me njëmijë njerëz do të mbetet me njëqind, ndërsa ai që dilte me njëqind do të mbetet me dhjetë për shtëpinë e Izraelit".
Sepse kështu thotë Zoti shtëpisë së Izraelit: "Më kërkoni dhe do të rroni,
por mos kërkoni Bethelin, mos shkoni në Gilgal, mos vazhdoni deri në Beer-Sheba, sepse Gilgali do të shkojë me siguri në robëri dhe Betheli do të katandiset në asgjë.
Kërkoni Zotin dhe do të rroni, që të mos shpërthejë si zjarr në shtëpinë e Jozefit dhe ta gllabërojë pa qenë në gjendje ta shuajë askush në Bethel.
Ai braktis ata që e ndërrojnë ndershmërinë dhe drejtësinë në helm mbi tokë".
Ai ka bërë Plejadat dhe Orionin, e kthen hijen e vdekjes në agim dhe e bën ditën të errët si nata; thërret ujërat e detit dhe i derdh mbi faqen e dheut: emri i tij është Zoti.
Ata sjellin papritmas shkatërrimin mbi të fuqishmit, dhe kështu rrënimi u sulet fortesave.