Fjalët e urta 7
Biri im, ruaji fjalët e mia dhe urdhërimet e mia në veten tënde,
Ruaji urdhërimet e mia dhe ke për të jetuar; ruaji mësimet e mia si bebja e syve të tu.
Lidhi ndër gishta, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate.
Thuaji diturisë: "Ti je motra ime" dhe quaje "shok" gjykimin,
me qëllim që të të ruajnë nga gruaja e tjetrit nga gruaja e huaj që përdor fjalë lajkatare.
Nga dritarja e shtëpisë sime shikoja nëpër parmakët prej hekuri
dhe pashë midis budallenjve; dallova midis të rinjve një djalë të ri që s'kishte gjykim,
që kalonte nëpër rrugë pranë qoshes të gruas së huaj dhe drejtohej nga shtëpia e saj,
në muzg, kur po ngryste dita, ndërsa zbriste nata e zezë dhe e errët.
I doli para një grua e veshur si prostitutë dhe dinake;
ajo është turbulluese dhe provokuese, dhe nuk di t'i mbajë këmbët në shtëpinë e saj;
herë mbi rrugë, herë në sheshet qëndron në pritë në çdo qoshe.