Gjoni 13
Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.
Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte,
Jezusi, duke ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në duar, dhe se ai kishte dalë nga Perëndia dhe te Perëndia po kthehej,
u ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh.
Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t'ua fshijnte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.
Erdhi, pra, te Simon Pjetri. Dhe ai i tha: ''Zot, ti të m'i lash këmbët mua?''.
Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj''.
Pjetri i tha: ''Ti kurrë nuk do të m'i lash këmbët''. Jezusi iu përgjigi: ''Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua''.
Simon Pjetri i tha: ''Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën''.