Gjoni 4
Pra, kur Zoti mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po bënte më shumë dishepuj dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni
(ndonëse nuk pagëzonte Jezusi vetë, por dishepujt e tij),
e la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile.
Por duhej të kalonte nëpër Samari.
Arriti, pra, në një qytet të Samarisë që quhej Sihar, afër tokës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të vet.
Por aty ishte pusi i Jakobit. Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë pusit; ishte rreth orës së gjashtë.
Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Dhe Jezusi i tha: ''Më jep të pi'',
sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime.
Por gruaja samaritane i tha: ''Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?'' (Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët).
Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!", ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë''.
Gruaja i tha: ''Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë?