Hagai 2
Në muajin e shtatë, në ditën e njëzetenjëtë të muajit, fjala e Zotit u drejtua me anë të profetit Hagai, duke thënë:
"Foli tani Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritar i Judës, dhe Jozueut, birit të Jehotsadakut, kryeprift, dhe pjesës tjetër të popullit, duke thënë:
"Cili prej jush ka mbetur nga ata që e kanë parë këtë tempull në lavdinë e tij të mëparshme? Dhe si po e shikoni tani? Në krahasim me atë, a nuk është kjo asgjë para syve tuaj?
Dhe tani ji i fortë, Zorobabel", thotë Zoti, "ji i fortë, Jozue, bir i Jehotsadakut, kryeprift; ji i fortë, o mbarë popull i vendit", thotë Zoti, "dhe i hyni punës, sepse unë jam me ju", thotë Zoti i ushtrive,
"sipas fjalës së besëlidhjes që lidha me ju kur dolët nga Egjipti, kështu Fryma ime qëndron midis jush. Mos kini frikë".
Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Edhe një herë, pas pak, unë do t'i bëj të dridhen qiejtë dhe dheun, detin dhe sterenë;
do t'i bëj të dridhen gjithë kombet; dëshira e gjithë kombeve do të vijë dhe unë do ta mbush këtë tempull me lavdi", thotë Zoti i ushtrive.
"Argjendi është imi, ari është imi", thotë Zoti i ushtrive.