Isaia 26
Atë ditë do të këndohet kjo këngë në vendin e Judës: "Ne kemi një qytet të fortë; Perëndia ka vënë shpëtimin për mure dhe për bastione.
Hapni portat dhe le të hyjë kombi i drejtë, që ruan besnikërinë".
Mëndjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti.
Kini besim te Zoti përjetë, sepse Zoti, po, Zoti është shkëmbi i përjetshëm.
Ai ka përulur ata që rrinin lart, ka ulur qytetin e lartë, e ka ulur deri në tokë, e ka hedhur në pluhur;
këmbët e shkelin, pikërisht këmbët e të varfërit dhe hapat e mjeranëve.
Rruga e të drejtit është e drejtë; o Perëndi i drejtë, ti sheshon shtegun e të drejtit.
Po, në rrugën e gjykimeve të tua, o Zot, ne të kemi pritur. Dëshira e shpirtit tonë i drejtohet emrit tënd dhe kujtimit tënd.
Me shpirtin tim të dëshiroj natën, po, me frymën që është brenda meje të kërkoj në mëngjes herët; sepse kur shfaqen gjykimet e tua mbi tokë, banorët e botës mësojnë drejtësinë.