Isaia 46
Beli ka rënë, Nebo është rrëzuar; idhujt e tyre i kanë çuar tutje me kafshë barre dhe me pela; gjërat që ju transportonit janë ngarkuar si pesha të rënda për kafshët e lodhura.
Janë shembur, kanë rënë bashkë; nuk kanë mundur të shpëtojnë ngarkesën, por ata vetë kanë shkuar në robëri.
"Dëgjomëni, o shtëpi e Jakobit, dhe tërë mbetja e shtëpisë së Izraelit, që ju kam përkrahur që kur keni lindur, që jeni mbajtur nga unë qysh në bark të nënës;
"Deri në pleqërinë tuaj unë do të mbetem po ai, unë do t'ju mbaj deri sa të thinjeni. Unë ju kam bërë dhe unë do t'ju përkrah; po, do t'ju mbaj dhe do t'ju shpëtoj".
Me cilin doni të më barazoni, me cilin doni të më krahasoni që mund të jemi të njëllojtë?
Këta harxhojnë arin e çantës dhe peshojnë argjendin me peshore, paguajnë një argjendar që me to të sajojë një perëndi; pastaj bien përmbys para tij dhe e adhurojnë.
E ngarkojnë mbi kurriz dhe e mbartin, e vënë në vendin e tij dhe mbetet atje; nga vendi i tij nuk lëvizet më. Edhe sikur dikush t'i thërrasë atij, ai nuk i përgjigjet as e shpëton nga fatkeqësia e tij.
Kujtoni këtë dhe tregohuni burra! Silleni atë ndërmend, o shkelës.