Jobi 18
Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha:
"Kur do t'u japësh fund fjalëve? Bëhu i zgjuar dhe pastaj flasim.
Pse jemi konsideruar si kafshë dhe jemi konsideruar të përçmuar në sytë e tu?
Ti që ha veten nga zemërimi, a duhet të braktiset toka për shkakun tënd apo shkëmbi të luajë nga vendi i tij?
Po, drita e të keqit shuhet dhe flaka e zjarrit të tij nuk ndrit më.
Drita në çadrën e tij po meket dhe llamba e tij mbi të po shuhet.
Hapat e tij të fuqishëm shkurtohen dhe vetë planet e tij po e çojnë në greminë.
Sepse këmbët e tij e shtyjnë në rrjetë dhe ai do të bjerë në ndonjë lak.
Një çark e kap nga thembra dhe një lak e mban fort.
Për të ka një lak të fshehur në tokë dhe një çark të vënë në shteg.
Gjëra të tmerrshme e trembin nga çdo anë dhe e ndjekin në çdo hap.
Forca e tij pakësohet për shkak të urisë dhe shkatërrimi është gati ta godasë anash.