Kantiku i Kantikëve 1
Kantiku i kantikëve që është i Salomonit.
Më puth me të puthurat e gojës së vet! Sepse dashuria jote është më e mirë se vera.
Nga aroma e vajrave të tua të këndshme emri yt është një vaj i parfumuar i derdhur; prandaj të duan vajzat.
Tërhiqmë te ti! Ne do të rendim pas teje! Mbreti më çoi në dhomat e tij. Ne do të kënaqemi dhe do të gëzohemi te ti; ne do ta kujtojmë dashurinë tënde më shumë se verën. Kanë të drejtë që të duan.
Unë jam e zezë por e bukur, o bija të Jeruzalemit, si çadrat e Kedarit, si perdet e Salomonit.
Mos shikoni se jam e zezë, sepse dielli më ka nxirë. Bijtë e nënes sime janë zemëruar me mua; më kanë caktuar të ruaj vreshtat, por vreshtin tim nuk e kam ruajtur.
Thuamë, o ti që të dashuron zemra ime, ku e kullot kopenë dhe ku e lë të pushojë në mesditë. Pse vallë duhet të jem si një grua e mbuluar me vel pranë kopeve të shokëve të tu?
Në rast se ti nuk e di, o më e bukura e grave, ndiq gjurmët e kopesë dhe kulloti kecat e tua pranë çadrave të barinjve.
Mikesha ime, ti më ngjan si pela ime midis qerreve të Faraonit.