Lluka 5
Dhe ndodhi që Jezusi, kur po ndodhej në bregun e liqenit të Gjenezaretit e ndërsa turma po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë,
pa dy barka të lidhura në breg të liqenit, nga të cilat kishin dalë peshkatarët dhe po lanin rrjetat.
Atëherë hyri në një nga ato barka, në atë që ishte e Simonit, dhe iu lut që të largohej pak nga bregu. U ul dhe mësonte turmat nga barka.
Dhe kur mbaroi së foluri i tha Simonit: ''Shko në të thella, dhe hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk''.
Dhe Simoni, duke u përgjigjur, i tha: ''Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë; por, për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën.
Dhe, si bënë kështu, zunë një sasi aq të madhe peshku, sa po shqyhej rrjeta.
Atëherë u bënë shenjë shokëve të tyre që ishin në barkën tjetër, që të vinin e t'i ndihmonin. Dhe ata erdhën dhe i mbushën të dy barkat aq sa gati po fundoseshin.
Simon Pjetri, kur pa këtë, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: ''Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar''.
Në të vërtetë Pjetri dhe të gjithë ata që ishin me të, habiteshin për shkak të sasisë së peshkut që kishin zënë.