Mateu 10
Pastaj Jezusi i thirri të dymbëdhjetë dishepujt e tij rreth vetes dhe u dha autoritet t'i dëbojnë frymërat e ndyra, dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë.
Dhe emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, i quajtur Pjetër dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, vëllai i tij;
Filipi dhe Bartolomeu; Thomai dhe Mateu tagrambledhësi, Jakobi i Alfeut dhe Lebeu, i mbiquajtur Tade;
Simon Kananeasi dhe Judë Iskarioti, ai që më pas e tradhtoi.
Këta janë të dymbëdhjetët që Jezusi i dërgoi mbasi u dha këto urdhëra: ''Mos shkoni ndër paganë dhe mos hyni në asnjë qytet të Samaritanëve,
por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.
Shkoni dhe predikoni duke thënë: "Mbretëria e qiejve u afrua".
Shëroni të sëmurët, pastroni lebrozët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët; falas morët, falas jepni.
Mos grumbulloni ar, as argjend as bakër në qesen tuaj,
as trasta për udhë, as dy palë tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori është i denjë për ushqimin e vet.