Duke u ngarkuar...
Elia, Tishbiti, një nga banorët e Galaadit i tha Ashabit: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia i Izraelit, në prani të të cilit unë ndodhem, nuk do të ketë as vesë as shi gjatë këtyre viteve, veçse me fjalën time".
Pastaj fjala e Zotit iu drejtua atij, duke thënë:
"Largohu që këtej, ktheu nga lindja dhe fshihu pranë përroit Kerith, që ndodhet në lindje të Jordanit.
Do të pish ujë në përrua dhe unë i kam urdhëruar korbat që të të japin të hash atje".
Kështu ai u nis dhe veproi sipas fjalës të Zotit; shkoi dhe u vendos pranë përroit Kerith, që ndodhet në lindje të Jordanit.
Korbat i sillnin bukë e mish në mëngjes dhe bukë e mish në mbrëmje, dhe pinte ujë në përrua.
Mbas një farë kohe përroi shteroi, sepse nuk binte shi mbi vendin.
Atëherë Zoti i foli, duke thënë:
"Çohu dhe shko të vendosësh në Sarepta të Sidonëve, sepse atje kam urdhëruar një grua të ve të të sigurojë ushqimin".
Ai u ngrit, pra, dhe shkoi në Sarepta; sapo arriti në portën e qytetit, ai pa një të ve që mblidhte dru. Ai e thirri dhe i tha: "Shko dhe më merr pak ujë në një enë që të mund të pi".
WordProject