Duke u ngarkuar...
Ezekia ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Abijah; ishte bija e Zakarias.
Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte vepruar Davidi, i ati.
Në vitin e parë të mbretërimit të tij, në muajin e parë, ai hapi portat e shtëpisë të Zotit dhe i restauroi.
Pastaj solli priftërinjtë dhe Levitët, dhe i mblodhi në sheshin lindor,
dhe u tha: "Më dëgjoni, o Levitë! Tani shenjtërohuni dhe shenjtëroni shtëpinë e Zotit, Perëndisë të etërve tuaj, dhe nxirrni nga vendi i shenjtë çdo gjë të papastër.
Sepse etërit tanë kanë kryer mëkate dhe kanë bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë tonë dhe e kanë braktisur, duke i hequr fytyrat e tyre nga banesa e Zotit dhe duke i kthyer krahët.
Ata madje kanë mbyllur portat e portikut, kanë shuar llambat dhe nuk kanë djegur më temjan as nuk kanë ofruar olokauste në vendin e shenjtë të Perëndisë të Izraelit.
Prandaj zemërimi i Zotit ra mbi Judën dhe Jeruzalemin, dhe ai i ka braktisur në telashe, në shkretim dhe në përbuzje, siç mund ta shihni me sytë tuaj.
WordProject