Duke u ngarkuar...
Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
"Pa dyshim ju jeni njerëz të urtë, dhe dituria do të marrë fund me ju.
Edhe unë kam mendje si ju, dhe nuk bie më poshtë se ju; përveç kësaj, kush nuk i di gjërat si këto?
Jam bërë gazi i miqve të mi; unë, të cilit Perëndia i përgjigjej kur i drejtohesha; të drejtin, të ndershmin, e kanë vënë në lojë.
Një llambë, e përçmuar në mendimet e atyre që jetojnë në mes të të mirave, është përgatitur për ata të cilëve u merren këmbët.
Çadrat e cubave përkundrazi janë të qeta dhe e ndjejnë veten të sigurt ata që provokojnë Perëndinë dhe që e hyjnizojnë forcën e tyre.
Por pyeti tani kafshët dhe do të të mësojnë, zogjtë e qiellit dhe do të ta thonë,
ose foli tokës, dhe ajo do të të mësojë, dhe peshqit e detit do të ta tregojnë.
Midis tërë këtyre krijesave, cila nuk e di që dora e Zotit i ka bërë këto?
Ai ka në dorë të tij jetën e çdo gjallese dhe frymën e çdo qenieje njerëzore.
WordProject