Duke u ngarkuar...
Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha:
"Për këtë mendimet e mia më shtyjnë të përgjigjem, për shkak të shqetësimit që ndjej brenda vetes sime.
Kam dëgjuar një qortim që më turpëron, por fryma ime më shtyn të përgjigjem ashtu si e gjykoj.
A nuk e di ti që gjithnjë, qysh prej kohës që njeriu u vu mbi tokë,
triumfi i të këqijve zgjat pak dhe gëzimi i të pabesëve zgjat vetëm një çast?
Edhe sikur madhështia e tij të arrinte deri në qiell dhe koka e tij të prekte retë,
ai do të vdesë për gjithmonë si jashtëqitjet e tij; ata që e kanë parë do të thonë: "Ku është?".
Do të fluturojë si një ëndërr dhe nuk do të gjendet më; do të zhduket si një vegim nate.
Syri që e shihte, nuk do ta dallojë më; edhe banesa e tij nuk do ta shohë më.
Bijtë e tij do të kërkojnë të fitojnë favorin e të varfërve dhe duart e tij do të rivendosin pasurinë e tij.
Forca rinore që i mbushte kockat do të dergjet në pluhur bashkë me të.
WordProject