Duke u ngarkuar...
Elihu nisi përsëri të flasë dhe tha:
"Dëgjoni, o njerëz të urtë, fjalët e mia, dhe ju, njerëz të ditur, ma vini veshin!
Sepse veshi i shqyrton fjalët, ashtu si qiellza i shijon ushqimet.
Le të zgjedhim ne vetë atë që është e drejtë të pranojmë midis nesh atë që është e mirë.
Sepse Jobi ka thënë: "Jam i drejtë, por Perëndia më ka hequr drejtësinë time.
A duhet të gënjej kundër drejtësisë sime? Plaga ime është e pashërueshme, megjithëse jam pa mëkat".
Kush është si Jobi, që e pi përqeshjen si ujin,
që ecën bashkë me keqbërësit dhe shkon bashkë me njerëzit e këqij?
Sepse ka thënë: "Nuk i vlen fare njeriut të vendosë kënaqësinë e tij te Perëndia".
Më dëgjoni, pra, o njerëz me mend! Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit!
Sepse ai ia kthen njeriut sipas veprave të tij dhe secilin e bën të gjejë shpërblimin për sjelljen e tij.
Sigurisht Perëndia nuk kryen të keqen dhe i Plotfuqishmi nuk shtrembëron drejtësinë.
WordProject