Duke u ngarkuar...
Fjalët e Predikuesit, e birit të Davidit, mbretit të Jeruzalemit.
"Kotësi e kotësive", thotë Predikuesi;
"Kotësi e kotësive; gjithçka është kotësi". Çfarë përfitimi ka njeriu nga gjithë mundi i tij, kur mundohet nën rrezet e diellit?
Një brez shkon, një brez vjen, por toka mbetet përjetë.
Edhe dielli lind e pastaj perëndon, dhe shpejtohet në drejtim të vendit nga del përsëri.
Era fryn në drejtim të jugut, pastaj kthehet nga veriu; kthehet dhe rikthehet vazhdimisht dhe bën po ato rrotullime.
Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen, përsëri.
Tërë gjërat kërkojnë mund, më tepër nga sa mund të thotë njeriu; syri nuk ngopet kurrë duke parë, po kështu veshi nuk ngopet kurrë duke dëgjuar.
Ajo që ka qenë është ajo që do të jetë; ajo që është bërë është ajo që do të bëhet; nuk ka asgjë të re nën diell.
A ka diçka për të cilën mund të thuhet: "Shiko, kjo është e re!". Kjo gjë ekzistonte që në shekujt që na kanë pararendur.
WordProject