Duke u ngarkuar...
Pastaj Jakobi thirri bijtë e tij dhe tha: "Mblidhuni që unë t'ju njoftoj çfarë do t'ju ndodhë në ditët e ardhshme.
Mblidhuni dhe dëgjoni, o bijtë e Jakobit! Dëgjoni Izraelin, atin tuaj!
Ruben, ti je i parëlinduri im, forca ime, filli i fuqisë sime, i dalluar për dinjitet dhe për forcë.
I rrëmbyer si uji, ti nuk do të kesh epërsinë, sepse hipe mbi shtratin e atit tënd dhe e përdhose. Ai hipi mbi shtratin tim.
Simeoni dhe Levi janë vëllezër: shpatat e tyre janë vegla dhune.
Mos hyftë shpirti im në mendjen e tyre, lavdia ime mos u bashkoftë me kuvendin e tyre! Sepse në mërinë e tyre kanë vrarë njerëz, në kryeneçësinë e tyre u kanë prerë leqet e këmbëve demave.
Mallkuar qoftë mëria e tyre, sepse ka qënë e egër, dhe tërbimi i tyre sepse ka qënë mizor! Unë do t'i ndaj te Jakobi dhe do t'i shpërndaj te Izraeli.
Judë, vëllezërit e tu do të të lavdërojnë; dora jote do të jetë mbi zverkun e armiqve të tu; bijtë e atit tënd do të përkulen para teje.
WordProject