Duke u ngarkuar...
Pastaj Perëndisë iu kujtua Noeu, të gjitha gjallesat dhe tërë bagëtia që ishte me të në arkë; dhe Perëndia bëri që të fryjë një erë mbi tokë dhe ujërat e ulën lartësinë e tyre.
Burimet e humnerës dhe kataraktet e qiellit u mbyllën dhe shiu nga qielli pushoi.
Dhe ujërat vazhduan të tërhiqeshin nga toka; dhe mbas njëqind e pesëdhjetë ditësh ishin pakësuar.
Në muajin e shtatë, ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, arka u ndal në malet e Araratit.
Dhe ujërat vazhduan të pakësohen deri në muajin e dhjetë. Në muajin e dhjetë, ditën e parë të muajit, u dukën majat e maleve.
Kështu, mbas dyzet ditësh, ndodhi që Noeu hapi dritaren që kishte bërë në arkë,
dhe nisi jashtë korbin, që vazhdoi të shkojë para dhe prapa, deri sa u thanë ujërat mbi tokë.
Pastaj lëshoi pëllumbin për të parë në se ujërat ishin pakësuar mbi sipërfaqen e tokës.
Por pëllumbi nuk gjeti dot vendin ku të mbështeste këmbën e tij dhe u kthye përsëri në arkë, sepse kishte ende ujëra mbi sipërfaqen e tërë tokës; dhe ai shtriu dorën, e kapi dhe e tërhoqi brenda arkës.
WordProject