Duke u ngarkuar...
Pastaj dëgjova një zë të madh nga tempulli që u thoshte të shtatë engjëjve: “Shkoni dhe derdhni mbi dhe kupat e zemërimit të Perëndisë.”
I pari shkoi dhe e derdhi kupën e vet mbi tokë, dhe një ulçerë e ligë dhe e dhimbshme goditi njerëzit që kishin damkën e bishës dhe ata që adhuronin figurën e saj.
Pastaj engjëlli i dytë e derdhi kupën e tij në det; dhe u bë gjak si i një të vdekuri dhe çdo qenie e gjallë në det vdiq.
Edhe engjëlli i tretë e derdhi kupën e tij në lumenj dhe në burimet e ujërave; dhe u bë gjak.
Dhe dëgjova engjëllin e ujërave duke thënë: “Ti je i drejtë, o Zot, që je që ishe dhe që do të vish, i Shenjti që gjykoi këto gjëra.
Ata kanë derdhur gjakun e shenjtorëve dhe të profetëve, dhe ti u dhe atyre të pijnë gjak, sepse është shpërblimi që ata meritojnë.”
Dhe dëgjova një tjetër që thoshte nga altari: “Po, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm, gjykimet e tua janë të vërteta dhe të drejta.”
Dhe engjëlli i katërt e derdhi kupën e tij mbi dielli; dhe iu dha atij të djegë njerëzit me zjarr.
WordProject