Zanafilla 22
Mbas këtyre gjërave Perëndia e vuri në provë Abrahamin dhe i tha: "Abraham!" Ai u përgjegj: "Ja ku jam".
Dhe Perëndia tha: "Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do, Isakun, shko në vendin e Moriahve dhe sakrifikoje në një nga malet që do të të tregoj".
Kështu Abrahami u ngrit herët në mëngjes, i vuri samarin gomarit, mori me vete dy shërbyes dhe të birin Isak dhe çau dru për sakrificën; pastaj u nis drejt vendit ku i kishte thënë Perëndia të shkonte.
Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë dhe pa së largu vendin.
Atëherë Abrahami u tha shërbyesve të tij: "Rrini këtu bashkë me gomarin; unë dhe djali do të shkojmë deri atje dhe do të adhurojmë; pastaj do të kthehemi pranë jush".
Kështu Abrahami mori drutë e sakrificës dhe i ngarkoi mbi Isakun, birin e tij; pastaj mori në dorë të vet zjarrin dhe u nisën rrugës që të dy.
Dhe Isaku i foli atit të tij Abraham dhe i tha: "Ati im!". Abrahami iu përgjegj: "Ja ku jam, biri im". Dhe Isaku tha: "Ja zjarri dhe druri, po ku është qengji për sakrificën?".
Abrahami u përgjegj: "Djali im, Perëndia do ta sigurojë vetë qengjin për sakrificën". Dhe vazhduan rrugën të dy bashkë.