Zanafilla 31
Por Jakobi dëgjoi fjalët e bijve të Labanos që thoshin: "Jakobi mori gjithçka kishte ati ynë; dhe me atë që i përkiste atit tonë, ai krijoi gjithë këtë pasuri".
Jakobi vuri re edhe fytyrën e Labanos; dhe ja, ndaj tij nuk ishte si më parë.
Pastaj Zoti i tha Jakobit: "Kthehu në vendin e etërve të tu dhe te fisi yt, dhe unë do të jem me ty".
Atëherë Jakobi dërgoi e thirri Rakelën dhe Lean, që të vinin në fushat pranë kopesë së tij,
dhe u tha atyre: "Unë e shoh që fytyra e atit tuaj ndaj meje nuk është si më parë; por Perëndia i atit tim ka qenë me mua.
Dhe ju e dini se unë i kam shërbyer atit tuaj me tërë forcën time,
ndërsa ati juaj më ka mashtruar dhe ka ndryshuar pagesën time dhjetë herë, por Perëndia nuk e lejoi të më bëjë të keq.
Në qoftë se ai thoshte: "Krerët laramane do të jenë pagesa jote", e tërë kopeja pillte qengja laramane; dhe po të thoshte: "Krerët vija-vija do të jenë pagesa jote", tërë kopeja pillte qengja vija-vija.
Kështu Perëndia ia hoqi bagëtinë atit tuaj dhe ma dha mua.