Po ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne me siguri do t’ua shlyejmë të këqijat, e do t’i shpërblejmë më së miri për atë që vepruan.
8
Ne e kemi obliguar njeriun me punë të mira ndaj prindërve të vet, e nëse ata të dy përpiqen të shpiejnë ty, që të më pëshkruash Mua shok (zot tjetër) për çka ti nuk di asgjë, atëherë ti mos i respekto ata. Kthimi juaj është tek Unë, e Unë do t'ju njoftoj për atë që keni vepruar.
9
E ata që besuan e bënë vepra të mira, ata do t’i radhisim ndër më të mirët.
10
Ka disa njerëz që thonë: “Ne i kemi besuar Allahut, e kur goditet me ndonjë të keqe për shkak të (rrugës së) Allahut, ai sprovimin prej njerëzve e trajton si dënimin e Allahut (prej të cilit njerëzit ikin prej mosbesimit në besim), e nëse vjen ndonjë fitore prej Zotit tënd ata do të thonë: “Ne kemi qenë me ju!” Po a nuk është Allahu, që di më së miri për atë që është në zemrat e njerëzve?
11
Allahu do t’i vërë në pah ata që besuan dhe do t’i vërë në thumb hipokritët.
12
Ata që nuk besuan u thanë atyre që besuan: “Ejani në rrugën (në fenë) tonë, e ne po i bartim mëkatet tuaja (po qe se është mëkat rruga jonë). Po ata nuk do të bartin asgjë nga mëkatet e tyre, në të vërtetë ata janë gënjeshtarë.
13
Ata patjetër do të bartin barrën e vet, e me atë të vetën edhe barrë të tjera, e në Ditën e Kijametit do të merren në përgjegjësi për atë që kanë trilluar.
14
Ne e dërguam Nuhun te populli i vet, e ai kaloi ndër ata një mijë pa pesëdhjetë vjet, e ata meqë ishin mizorë i përfshiu vërshimi.
Komentimi
£ Eshtë ligj i Zotit xh. sh. që njerëzit të sprovohen, pse përndryshe nuk do të dihej i sinqerti prej atij që nuk është i sinqertë. Kjo lloj sprove është në të mirë të njerëzve, sepse ata do t'i kuptojnë miqtë dhe armiqtë. Allahut nuk i nevojitet një sprovë e tillë. Ai i di të gjitha të fshehtat, i di qëndrimet dhe qëllimet e njerëzve dhe pa i sprovuar ata fare. Besimtarët duhet t'i njohin ligjet e Zotit dhe të jenë të qëndrueshëm, të fortë në çdo rast sprovimi, pse ata e besojnë shpërblimin që i pret tek Allahu dhe e dinë se çdo përpjekje e tyre është në të mirë të tyre dhe mundi i tyre do të shpërblehet shumëfish. Urdhëri i Zotit për sjellje të mirë ndaj prindërve buron nga arsyeja se fëmijët nuk janë aq të prirur për respekt ndaj tyre, e Allahu i obligoi me atë që është kundër natyrës së tyre, ashtu që ai veprim të çmohet ibadet. Prindërit nuk duhet respektuar, nëse tentojnë të largojnë prej rrugës së drejtë. Ky ajet shpallet rreth Sad ibni ebi Vekas. Ai thotë: Isha respektues i denjë ndaj nënës, e kur pranova fenë islame më tha: ose lerë atë fë ose do të bëjë grevë urie deri sa të vdesë, e ti do të turpërohesh. Unë i thashë: Mos oj nënë, se unë nuk largohem kurrë prej asaj feje. Ajo filloi grevën, qëndroi një ditë e një natë, e luta ta ndërprejë grevën, por ajo vazhdoi edhe një ditë e një natë tjetër, kur pashë ashtu i thashë: Oj nënë, ta dijsh se edhe t'i kishe njëqind shpirtra e të dalin njëri pas tjetrit, unë kurr nuk do të largohem prej kësaj feje, në daç ha në daç mos hal Kur e pa qëndrimin tim, filloi të hajë.
Ndërsa atë vetë dhe të tjerët, që ishin në anije, i shpëtuam dhe Ne atë (ngjarje) e bëmë argument për tërë botën.
16
Edhe Ibrahimin (e dërguam), kur ai popullit të vet i tha: “Adhurojeni Allahun dhe keni frikë prej Atij, se kjo, nëse e kuptoni, është shumë më mirë për ju.
17
Ju në vend të Allahut jeni duke adhuruar vetëm idhuj, që i trilloni vetë si gënjeshtarë. S'ka dyshim, se ata që adhuroni në vend të Allahut, nuk zotërojnë furnizimin tuaj, pra kërkojeni furnizimin tek Allahu, adhurojeni Atë dhe shprehini falënderimin Atij, pse tek Ai do të ktheheni”.
18
Po nëse ju përgënjeshtroni, edhe popuj para jush përgënjeshtruan, e të dërguarit nuk i takon tjetër pos komunikimi i kuptueshëm.
19
A nuk e kanë vërejtur ata, se si Allahu nis krijimin, e pastaj e përsërit atë, e kjo është lehtë për Allahun.
20
Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë e shikoni, se si filloi krijimi, pastaj Allahu e fillon krijesën tjetër (ringjalljen). Është e vërtetë se Allahu është i Plotfuqishëm për çdo send.
21
Ai ndëshkon atë që do dhe mëshiron kë të dojë, dhe tek Ai do të silleni.
22
Ju nuk keni mundësi ta bëni të paaftë (Zotin tuaj tju dënojë), as në tokë, e as në qiell, dhe përpos Allahut nuk keni, as mbrojtës, as ndihmëtar”.
23
E ata që nuk besuan argumentet e Allahut dhe takimin me Të, të tillët e kanë humbur shpresën nga mëshira Ime, dhe ata i pret dënimi i hidhur.
Komentimi
Sprovimet prej njerëzve sado që të jenë të rënda, ato nuk kanë peshën e dënimit të Zotit, andaj ato nuk guxojnë të largojnë prej fesë, siç duhet larguar prej besimit të kotë nga droja e dënimit nga Allahu. Kufarët u thonin besimtarëve, ejani në fenë tonë. Nëse me këtë beni mëkat, ne do ta bartim mëkatin tuaj për këtë, ata ishin gënjeshtarë. Por në ditën e kijametit ata vërtet do të bartin mëkatet e veta, ngase mashtruan njerëz dhe i futën në rrugë të gabuar, do të bartin edhe mëkate të tjera.
Po përgjigjja e popullit të tij nuk ishte tjetër vetëm të thonë: “Vriteni atë (Ibrahimin) ose digjeni!” Mirëpo Allahu e shpëtoi atë prej zjarrit. Për një popull që beson, këtu vërtet ka fakte bindëse.
25
Ai (Ibrahimi) tha: “Ju përqafuat, veç Allahut idhuj vetëm sa për bashkëjetesë mes jush në jetën e kësaj bote, e në Ditën e Kijametit (ndryshon gjendja) ju do të refuzoni njëri-tjetrin; fundi juaj është zjarri, për ju nuk do të ketë ndihmëtarë”.
26
Atij (Ibrahimit) i besoi Luti, e ai (Ibrahimi) tha: “Unë shpërngulem atje ku më udhëzoi Zoti im, Ai është i Plotfuqishmi, i Urti”.
27
Dhe Ne ia dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin, e në pasardhësit e tij shpallëm pejgamberllëkun dhe librin e shenjtë (librat e shpallur), atij i dhamë shpërblimin në këtë botë, kurse në botën tjetër do të jetë ndër të mirët e përsosur.
28
(Dërguam) Edhe Lutin, i cili popullit të vet i tha: “Ju bëni aq punë të shëmtuar, sa askush para jush nga tërë bota nuk e ka bërë”
29
Ju jeni që kontaktoni me meshkujt, që sulmoni njerëzit në rrugë, që në vendtubimet tuaja bëni punë të ndyra. Përgjigjja e popullit të tij nuk ishte tjetër vetëm të thonë: “Nëse thua të vërtetën, na sill dënimin nga Allahu?”
30
Ai tha: “O Zoti im, më ndihmo kundër popullit të prishur!”
Komentimi
Tregimi për pejgamberin Nuh dhe Ibrahim dhe i të gjitha ngjarjeve e ndodhive në jetën e tyre, është i lidhur me konstatimin në fillim të kaptinës. Sprovat në jetën e kësaj bote janë të paevitueshme, janë ligj i Zotit që mbretëron gjithnjë, prandaj, si Pejgamberi Muhammed, ashtu edhe ymeti i tij besimtarë, duhet kuptuar se rruga për në fqinjësi të këndshme e të kënaqshme pranë Zotit, kërkon durim, qëndrueshmëri dhe moral të lartë. Ky lloj sprovimi i ka goditur njerëzit më të dashur të Zotit, po me qëndrimet e tyre ata mbetën shembëlltyrë e kësaj bote, e do të jenë më fatlumët në botën tjetër. Si duket Nuhu ishte njeriu me jetë shumë të gjatë në këtë botë, e për kalendarin e viteve të asaj kohe e di vetëm Zoti xh. sh., por duhet kuptuar se shtrembërimi i besimit të drejtë, paraqitet në popullin e Nuhut, andaj dërgohet Nuhu për rikthimin e besimit të drejtë në një Zot dhe pas tij e vazhdojnë të gjithë pejgamberët me rradhë.
E kur të dërguarit tanë (engjëjt) i erdhën me përgëzim Ibrahimit, i thanë: “Ne jemi shkatërrues të banorëve të këtij qyteti, pse banorët e tij janë mizorë!”
32
Ai (Ibrahimi) tha: “Aty është Luti!” Ata i thanë: “Ne e dimë edhe më mirë, se kush është aty; atë dhe familjen e tij do ta shpëtojmë përveç gruas së tij, ajo do të mbetet me të zhdukurit”.
33
E pasi të dërguarit tanë i erdhën Lutit ai për shkak të tyre u shqetësua dhe u ngushtua, po ata i thanë: “Mos ki frikë, as mos u pikëllo, ne të shpëtojmë ty dhe familjen tënde, përveç gruas sate, që do të mbetet me të dënuarit".
34
Ne mbi banorët e këtij qyteti do të lëshojmë një dënim nga qielli, për shkak se ata bëjnë punë të liga.
35
E nga ai vend Ne kemi lënë gjurmë të qartë për një popull që mendon.
36
E në Medjen (dërguam) vëllain e tyre Shuajbin dhe ai iu tha: “O populli im, adhurojeni Allahun dhe kini frikën Ditën e Fundit, e mos e teproni si shkatërrues në tokë!”
37
Po ata e përgënjeshtruan, prandaj i përfshiu tërmeti dhe u bënë të shtangur (të ftohur e të vdekur) në shtëpitë e tyre.
38
(I shkatërruam) Edhe Adin e Themudin, e vendbanimet e tyre janë të qarta për ju. Djalli ua pat zbukuruar veprat e tyre dhe i ka shmangur nga e vërteta, edhe pse e shihnin atë.
Komentimi
Ibrahimi në këshillimet e veta që ia bën popullit, i vë bazat më të shëndosha të besimit të drejtë, largon të gjitha bestytnitë e mundshme nga kokat e njerëzve, sakrifikon edhe jetën e vet, pra Zoti e shpërbleu edhe në dynja, derisa të gjithë pejgamberët rrjedhin prej origjinës së tij, të gjitha librat e shenjtë u jepen pasardhësve të tij. Në moshën e tij të shtyrë të pleqërisë, e katërmbëdhjetë vjet pas djalit të tij Ismailit, prej të cilit rrjedh Pejgamberi ynë Muhammedi, Zoti ia fal Is-hakun dhe djalin e djalit Jakubin e të tjerë me radhë. Nuk ka dyshim se ai ishte i dashuri i Zotit, halilull Llahi, e kuptohet çfarë do të ketë në botën tjetër.
Edhe Karunin, faraonin dhe Hamanin. Atyre Musai iu solli fakte, por ata treguan mendjemadhësi, ndaj nuk mundën t’i shpëtojnë dënimit.
40
Secilin prej tyre e kemi dënuar për shkak të mëkatit të vet; disa prej tyre Ne i goditëm me furtunë plot rërë, disa i shkatërruam me krismë nga qielli, kurse disa të tjerë i fundosëm në tokë dhe disa i përmbytëm në ujë. Allahu nuk iu bëri atyre ndonjë padrejtësi, por ata vetes së tyre i bënë padrejtësi.
41
Shembulli i atyre, të cilët veç Allahut morën mbrojtës (zota idhujsh), është si shembulli i merimangës, që thur shtëpi, e sikur ta dinin ata, më e dobëta shtëpi është e shtëpia e merimangës.
42
Allahu e di se ç’adhurojnë ata pos Tij (ose nuk adhurojnë asgjë), Ai është Ngadhënjyesi, i Urti.
43
Këta janë shembuj, që Ne ua sjellim njerëzve, po këta nuk i kupton kush pos dijetarëve.
44
Allahu krijoi qiejt dhe tokën me një seriozitet të caktuar. Në to me të vërtetë ka fakte për besimtarët.
45
Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (Kurani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve); Allahu e di ç’punoni ju.
Komentimi
£ Në këto ajete në pika të shkurtra përshkruhen tregimet e disa pejgamberëve dhe popujve të tyre, prej të cilave kuptohet përfundimi i zullumqarëve. Ndëshkimi kundër popullit të Lutit ishte i llahtarshëm, e do të jetë më i rëndi në botën tjetër. Gjurmët e vendbanimeve të tyre të shkatërruara, janë diku rreth detit të vdekur, e gjurmët e vendbanimeve të popullit Ad e Themud, janë në Hixhaz dhe në Jemeni. Edhe pse ndëshkimet e përmendura kundër popujve të lashtë duken të ashpra, ato ishin meritë e tyre. Meqë edhe pas të gjitha udhëzimeve që u ofruan pejgamberët, ata me këmbëngulje qëndruan në kokëfortësinë e tyre, që si rrjedhojë kishte shkatërrimin e moralitetit njerëzor, andaj shfarosja e tyre, me vetë fajin e tyre, ishte nevojë e domosdoshme. Namazi është mjeti më i mirë, i cili e largon njeriun prej punëve të këqija, kuptohet nëse ai kryhet me të gjitha rregullat e parashikuara: kur ai falet me vëmendje, me përkujtim ndaj Allahut, me vështrim të domethënies së Kur'anit që lexohet gjatë faljes. Në të gjitha pjesët e namazit përkujtohet madhëria e Allahut, e përkujtimi i madhërisë së Tij, është lutja më e madhe.
Ithtarët e Librit mos i polemizoni ndryshe (kurr i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë mizorë dhe thuajuni: “Ne i besuam asaj që na u zbrit neve, dhe që iu zbriti juve, dhe se Zoti ynë dhe Zoti juaj është një, dhe se ne i jemi dorëzuar Atij.
47
Dhe po ashtu (siç i zbritëm librat e mëparshëm), Ne ta zbritëm ty librin. E ata, të cilëve Ne u kemi dhënë librin, i besojnë këtij (Kuranit), edhe nga ata (idhujtarët arabë) ka që i besojnë këtij, kurse argumentet tona nuk i refuzon askush, përpos jobesimtarëve”.
48
Ti (Muhamed) nuk ishe që lexon ndonjë libër para këtij, e as që e shkruan atë me dorën tënde të djathtë, pse atëherë do të dyshonin ata të prishurit.
49
Por jo, ai është plot argumente të qarta në zemrat e atyre që iu është dhënë dituria, e argumentet Tona nuk i mohon kush pos të shfrenuarve.
50
Ata thanë: “Përse të mos i ketë zbritur atij një mrekulli nga Zoti i tij?” Thuaj: “Çështja e mrekullive është vetëm në Duar të Allahut, e unë nuk jam tjetër pos tërheqës i vërejtjes dhe shpjegues.
51
Po a nuk ju mjaftoi atyre, që Ne ta shpallëm librin, i cili iu lexohet atyre, e s’ka dyshim se kjo është dhuratë e përkujtim për njerëzit që duan të besojnë”.
52
Thuaj: “Mjafton që Allahu është dëshmitar ndërmjet meje dhe juve, Ai e di ç’ka në qiej e në tokë, e ata që i besuan të kotës e nuk e besuan Allahun, ata janë të dështuarit”.
Ata kërkojnë prej teje ngutjen e ndëshkimit, e sikur të mos ishte afati i caktuar, atyre do t’iu vinte ndëshkimi, po ai patjetër do t’u vijë atyre befas ashtu që ata nuk e hetojnë.
54
Po, si e kërkojnë ata ngutjen e ndëshkimit? E në të vërtetë xhehenemi është, që i ka rrethuar në të gjitha anët jobesimtarët.
55
Ditën kur ata i mbulon dënimi (i zjarrit) prej së larti dhe së poshtmi nën këmbët e tyre, e iu thotë: “Shijojeni atë që keni vepruar!”
56
O robërit e Mi, që besuat, toka Ime është e gjerë, pra vetëm Mua më adhuroni.
57
Çdo njeri do ta shijojë vdekjen, e pastaj do të ktheheni te Ne.
58
E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre do t’iu bëjmë vend të lartë në xhenet, në të cilin rrjedhin lumenj, aty janë përgjithmonë; sa i mirë është shpërblimi për atë që vepruan,
59
të cilët bënë durim dhe vetëm Zotit të tyre iu mbështetën.
60
Sa e sa gjallesa janë që nuk kanë mundësi për furnizimin e vet. Allahu i furnizon ato edhe juve. Ai është Dëgjuesi i çdo gjëje, i Gjithëdijshmi.
61
Nëse ti i pyet ata: “Kush i krijoi qiejt e tokën, kush i nënshtroi (të lëvizin) diellin dhe hënën?” Ata do të thonë: “Allahu!” E si prapësoheni, pra?
62
Allahu i jep furnizim atij që do nga robërit e vet, e ia pakëson (shtrëngon) atij që do. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.
63
Dhe nëse ti i pyet ata: “Kush e lëshon shiun nga qielli dhe me të e ngjall tokën pas vdekjes së saj?” Ata thonë: “Allahu!” Thuaj: “Falënderimi i qoftë Allahut, por shumica e tyre nuk mendojnë”.
Komentimi
Në disa ajete para këtyre u përshkrua rruga krejtësisht e gabuar e atyre, që veç Zotit adhurojnë edhe ndonjë send tjetër, si idhuj ose ndonjë krijesë të çfarëdoshme. Adhuruesit e sendeve të tjera, e zotave të tjerë, prej të cilëve shpresojnë e presin ndonjë të mirë, t'i mbrojnë prej ndonjë të keqeje dhe mbështeten në ta, janë të dobët si shtëpia e marimangës, sepse ata nuk kanë kurrgjë në dorë, e ai që mbështetet në ta është si të mbështetet në rrjetën e marimangës, sikurse të kërkojë shpëtim nga pëlhura e saj. Në këto ajete pas tyre, Pejgamberi dhe besimtarët e tij urdhërohen të sillen më butë me ithtarët e librit, kuptohet me ata prej të cilëve priten shpresa se do ta pranojnë Kur'anin dhe Muhammedin, ndërsa me ata që qëndrojnë kundër, nuk ka butësi ndaj tyre. Atyre duhet treguar realitetin islam sipas të cilit besimtarët e tij i pranojnë të gjithë pejgamberët, të gjitha shpalljet, e derisa edhe ata besojnë Zotin një, atëherë do të duhej ta pranojnë edhe Pejgamberin e fundit. Ithtarët e librit, të cilët sinqerisht e lexuan librin e vet, i besuan Muhammedit, si Abdullah bin Selami, prijës fetar i jehudive, Selman Farisiu, persian dhe disa nga arabët idhujtarë. Muhammedi jetoi sa vjet në mesin e popullit të vet, as nuk lexonte ndonjë libër e as nuk shkruante. Populli i vet e dinte se ai nuk ishte i shkolluar. Për këtë cilësi të Muhammedit shkruanin edhe librat e mëparshëm. Kur nisi t'i shpallej Kur'ani, ai filloi të lexojë, e dihej se ato citate të pamposhtura, ato tregime të panjohura për popujt e lashtë, ato çështje sekrete që i zbulonin ato, nuk ishin prodhim i aftësisë së Muhammedit të pashkolluar, por thënie të të madhit Zot që edhe pejgamberëve para tij u shpalli libra, pra nuk kishte vend për ndonjë dyshim për Kur'anin se ishte shpallje e Zotit, por ishte çështja e injorancës së atij populli. Pejgamberi ynë ka qenë dhe ka mbetur i tillë, që nuk ka shkruar me dorën e vet, për shkrimin e Kur'anit i kishte njerëzit e posaçëm.
Kjo jetë e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se dëfrim e lojë, e jetë e vërtetë, pa dyshim është ajo e botës së ardhme (Ahireti), sikur ta dinin.
65
(Idhujtarët e dinë për Allahun pse) Kur hipin ata në anije (iu këputet lidhja me tokën dhe frikësohen) i luten sinqerisht Allahut, e kur i shpëton ata (dhe dalin) në tokë, ja, po ata të njëjtit lusin idhujt!
66
Po le t’i përbuzin ato të mira, që ua dhamë dhe le të kënaqen (e mos të besojnë), se më vonë do ta kuptojnë.
67
A nuk e kanë vërejtur ata, se Ne e kemi bërë vendin e shenjtë (Mekën) të sigurt, e njerëzit përreth tyre rrëmbehen (plaçkiten, mbyten). Po, a i besojnë ata të kotës, e të mirat e Allahut i përbuzin?
68
E kush është më mizor, se ai që shpif gënjeshtër ndaj Allahut, ose përgënjeshtron të vërtetën pasi t’i ketë ardhur ajo? Po, a nuk është xhehennemi vend për jobesimtarët?
69
E ata, që luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t'i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim, se Allahu është në krahun e bamirësve.
Komentimi
Derisa mohuesit e Kur'anit të shpallur prej Zotit, nuk kishin kurrfarë argumenti për dyshim, Zoti u tërhoqi vërejtjen për ndëshkimin e ashpër, të cilin do ta përjetojnë, e besimtarëve u tha: Ju jeni robët e mi të dashur, mos keni frikë për idare, e as prej vdekjes, pse vdekja është dukuri e pashmangshme. Kudo që të jeshë, në vendlindje ose në mërgim, ajo e godit secilin njeri, e për sa i përket idares, ju duhet të kuptoni se ka shumë gjallesa që nuk dinë të mendojnë për të, e nuk e sigurojnë ate as nuk janë të afta ta sigurojnë, po Allahu i furnizon të gjitha ato, pra edhe juve, andaj mos iu frikësoni varfërisë. Idhujtarët e dinin për Allahun, por adhuronin edhe idhuj, duke menduar se ata do t'i afrojnë dhe ndërmjetësojnë te Zoti.
£ Dynjaja është jetë mashtruese, sepse ajo kalon shumë shpejt, ashtu siç luajnë fëmijët për një kohë të shkurtër e pastaj shpërndahen. Idhujtarët e dinin se Allahu krijoi çdo gjë, Ai lëshon shiun prej së larti, e dinin edhe kur ishin në anije, e valët e detit tronditnin atë dhe i frikësoheshin përmbytjes, andaj sinqerisht i luteshin Zotit, duke mos u shkuar mendja te idhujt: mirëpo, kur shpëtonin e dilnin në tokë, e vazhdonin atë besim të tyre të kotë, harronin të mirat e Zotit. Harronin edhe atë se Zoi e bëri vend të shenjtë Mekën, e ndaloi luftën dhe çdo gjë të keqe në rrethin e saj, ashtu që njerëzit ishin të sigurt në të, kurse banorët e saj edhe mëtej lutnin idhujt. A nuk është xhehenemi meritë e vetë atyre) Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës “Ankebutë”. Falënderuar qoftë Allahut