Allahun e madhëron me tesbih (duke i mohuar ato që nuk i takojnë atij) gjithë çka ka në qiej dhe gjithë çka ka në tokë, e Ai është i Plotfuqishmi, i Urti.
2
Ai është që në dëbimin e parë i nxori prej shtëpive të tyre ata nga Ithtarët e Librit, të cilët nuk besuan. Ju nuk menduat, se ata do të dalin, e ata menduan se fortifikatat e tyre do t’i mbronin prej ndëshkimit të Allahut, po Allahu iu erdhi atyre nga nuk e kishin menduar dhe në zemrat e tyre hodhi tmerrin, ashtu që me duart e veta dhe me duart e besimtarëve rrëzonin shtëpitë e veta; pra merrni përvojë, o ju të zotët e mendjes.
3
Sikur Allahu të mos iu kishte caktuar atyre shpërnguljen, ata do t’i ndëshkonte në këtë jetë, kurse në jetën tjetër ata kanë dënimin e zjarrit.
Këtë, për shkak se e kundërshtuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pra, kush e kundërshton Allahun, s’ka dyshim se Allahu është Ndëshkimfortë.
5
Ju nuk këputët asnjë nga hurmat e buta (fidanet), ose atë e keni lënë të ngritur në rrënjët e tyre, vetëm se me lejen e Allahut e për t’i shtypur kundërshtarët.
6
E atë (pasuri), që prej tyre Allahu ia ktheu të Dërguarit të vet, ju për të nuk i keni ngarë, as kuajt, as devetë, por Allahu i bën mbizotërues të dërguarit e vet kundër kujt të dojë, Allahu është i Plotfuqishëm për çdo send.
7
Atë që Allahu nga banorët e vendeve (jobesimtare) ia dha pa luftë të Dërguarit të vet, ajo i takon Allahut, të dërguarit, të afërmve, jetimëve, të varfërve, udhëtarëve. (Kështu veprohet) Që ajo të mos ndahet ndërmjet pasanikëve tuaj. Çka t’ju japë Pejgamberi, atë merreni, e çka t’ju ndalojë, përmbajuni, dhe kini frikë Allahun, se Allahu është Ndëshkues i ashpër.
8
(Ajo pronë) Iu takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe prej pasurisë së tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë prej Allahut, dhe që ndihmojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, të tillët janë ata të sinqertit.
9
Edhe atyre që përgatitën vendin (Medinen) dhe besimin para tyre, i duan ata që shpërnguleshin tek ata, dhe nuk ndiejnë në gjokset e tyre ndonjë nevojë (për zili a tjetër) nga ajo që iu jepej atyre (muhaxhirëve), madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për të, ata iu jepnin përparësi atyre para vetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.
Edhe ata që kanë ardhur pas tyre e thonë: “Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i Butë, Mëshirues i madh!”
11
A nuk e ke ditur, se ata që u bënë hipokritë u thoshin vëllezërve të vet nga Ithtarët e Librit, që nuk kishin besuar: Nëse ju dëboheni, edhe ne do të dalim me ju për çështjen tuaj, ne kurrë nuk do t’i bindemi askujt (t’ju luftojmë ose t’ju nënshtrojmë), e nëse luftoheni prej dikujt, ne gjithqysh do t’iu ndihmojmë. Allahu dëshmon se ata janë gënjeshtarë!
12
Sikur të dëbohen ata (Ithtarët e Librit), nuk do të dilnin me ta edhe sikur të luftoheshin, nuk do t’u ndihmojnë atyre, po edhe sikur t’iu ndihmonin atyre, ata do të iknin prapa, e ata do të mbesin pa ndihmën e tyre.
13
Ju (besimtarët) në zemrat e tyre (të munafikëve) jeni frikë më e fortë se Allahu (frika nga Allahu). Kjo për shkak se ata janë popull që nuk kuptojnë.
14
Ata të gjithë së bashku nuk kanë guxim t’ju luftojnë, vetëm kur gjenden në ndonjë vend të fortifikuar, ose kur janë pas ndonjë muri. Armiqësia ndërmjet tyre është e ashpër. Mund të mendohet për ta, se janë të bashkuar, e në realitet zemrat e tyre janë të përçara, sepse janë njerëz që nuk logjikojnë.
15
Si shembulli i atyre jo fort moti që përjetuan të keqen e punës së vet, edhe ata kanë një dënim të rëndë.
16
Ata (hipokritët) janë shembull si djalli, kur i thotë njeriut: “Refuzo besimin!”, e kur ai ta ketë refuzuar, ai (djalli) tërhiqet e thotë: “Unë tërhiqem prej teje; unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë!”
Komentimi
Kur shkoi Pejgamberi në Medinë, bëri marrëveshje me fisin Beni Nadir për mossulmim. Pas Luftës së Uhudit, në të cilën patën shumë viktima myslimanët, Ka'b bin Eshref, i pari i fisit shkoi në Mekë dhe me Ebu Sufjanin, prijësin e idhujtarëve lidhi marrëveshje kundër myslimanëve. Ka'bin e mbyti një natë Muhamed bin Mesleme, e fisin e tij e rrethuan myslimanët derisa e detyruan të shpërngulet prej aty, kështu disa shkuan në Sham e do të tjerë në Hajber. Ajo ishte shpërngulja e parë e tyre. Ndihma e Allahut bëri që ata të frikësohen, të braktisin fortifikatat, e nga inati, edhe vetë i rrënonin shtëpitë e veta së bashku me myslimanët. Kjo mase ndëshkuese kundër tyre u mor për shkak se ata kundërshtonin Allahun dhe Pejgamberin. Ishte urdhëri i Pejgamberit, por me lejen e Zotit, që të shkatërrohen edhe kopshtet e tyre. Kur disa sahabë filluan t'i presin disa hurma të tyre me qëllim që t'ua shtojnë edhe më shumë pikëllimin, ata i thanë Pejgamberit: “Ti ishte ai që i ndaloje dëmtimet, e çka është tash që i lejon t'i presin pemët”” Atëherë zbriti ky ajet, që me lejen e Zotit ajo është si masë ndëshkuese kundër të prishurve. Pasuria e tyre mbeti ““fej'un', pasuri e fituar pa luftë, Kjo u arrit me ndihmën e Zotit e jo me forcën luftarake, andaj ndarja e saj ka vlerë tjetërfare prej presë së fituar me luftë. Përmenden ata që meritojnë t'u jepet, e jo të mbetet në duar të pasanikëve e ta ndajnë si të duan. Pasuria e tillë fituar në atë mënyrë, është pronë e shoqërisë e jo e individëve, Shoqëria e ndan sipas nevojës. Atë pasuri Pejgamberi ua dha muhaxhirëve, që kishin lëshuar atdheun për hir të rrugës së Zotit, luftonin për atë rrugë dhe ende ishin nëpër shtëpi të vëllezërve të tyre ensarë, vendas të Medinës dhe mbrojtës të besimit, të cilët në konsultime me Pejgamberin hoqën dorë nga ajo pasuri, ndonëse kishin nevojë dhe u dhanë përparësi emigrantëve. Të lavdëruar janë muhaxhirët e parë, vendasit, ensarët e Medinës dhe ata që erdhën pas tyre dhe ua njohtën meritën të parëve, e kush e urren ndonjë nga sahabët e Pejgamberit, ai është edhe më i keq se kufari, e të tillë janë rafidijjët.
592
فَكانَ عٰقِبَتَهُما أَنَّهُما فِى النّارِ خٰلِدَينِ فيها وَذٰلِكَ جَزٰؤُا۟ الظّٰلِمينَ
Dhe ashtu ata të dy do të përfundojnë në zjarr përgjithmonë. Ai është ndëshkim i zullumqarëve.
18
O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu, se çka ka bërë për nesër, dhe kini frikë Allahun, e s’ka dyshim se Allahu është që e di në detaje atë që punoni!
19
E mos u bëni si ata që e harruan Allahun, e Allahu bëri që ata ta harrojnë vetveten! Të tillët janë ata të prishurit.
20
Nuk janë të barabartë ata të xhenetit dhe ata të xhehenemit. Banuesit e xhenetit janë ata fatbardhë, që ia kanë arritur qëllimit.
21
Sikur Ne ta zbritnim këtë Kuran mbi ndonjë kodër do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga Allahu. Këta janë shembuj, që ua shkoqisim njerëzve, që ata të mendojnë.
22
Ai është Allahu që nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë pos Tij, Ai është Njohës i të fshehtës dhe të dukshmes, Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëbërësi i madh!
23
Ai është Allahu, që nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Tij, Sunduesi i përgjithshëm, i Pastri (prej të metave që i mvishen), Shpëtimtari (që i shpëton njerëzit prej ndëshkimit të padrejtë), Siguruesi (që i siguroi njerëzit me premtimin e vet dhe pejgamberët me mrekulli), Mbikëqyrësi (që mbikëqyr dhe përcjell çdo send), i Plotfuqishmi, Mbizotëruesi, i Madhërishmi. I Lartësuar është Allahu nga çka i shoqërojnë!
24
Ai është Allahu, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi. Të tij janë emrat më të bukur. Atë (Allahun) e madhëron çka ka në qiej e në tokë dhe Ai është Ngadhënjyesi, i Urti!
Komentimi
Ibni Ubej ibni Selul, prijës i hipokritëve, dërgon te fisi Beni Nadir dhe u thotë të mos pranojnë të largohen prej Medinës, u premton se ai së bashku me ithtarët e tij hipokritë, sido që të jetë gjendja, do të jetë në anën dhe në ndihmën e tyre. Kur'ani zbuloi gënjeshtrën e tyre, sepse ata as nuk dolën me ta e as nuk u ndihmuan. Mandej, Kur'ani i njoftoi besimtarët se Zoti u ka shtënë frikën në zemrat e tyre, madje ata duken se janë të bashkuar me jehuditë, por ato janë vetëm fjalë goje. Hipokritët e luanin rolin e dreqit, i cili pasi ta mashtorjë njeriun, tërhiqet prej tij. Besimtarët porositen të veprojnë e të përgatiten për jetën e ardhshme, të mos i harrojnë këshillat e Zotit, se njerëzit do të ndahen në dy grupe: për në xhennet dhe për në xhehenem. Madhështia e përmbajtjes së Kur'anit është aq e efektshme, sa që sikur malet të kishin të menduar, ani pse janë aq të mëdha, do të përuleshin dhe do të shqyheshin nga droja prej ndëshkimit të Zotit, e njeriu që ka arsye e mendje, shpeshherë nuk i vështron me vëmendje thëniet e Zotit në Kur'an, gjë kjo që është për çdo habi. Në fund numërohen disa cilësi të të madhit Zot, disa emra të bukur të Tij, të cilët na japin të kuptojmë për madhështinë e Tij. Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures El Hashru. 1 lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar'