Komentimi
Në kaptinën para kësaj u pa se deri në çfarë shkalle të koprracisë mund të vijë njeriu, e në këtë sure manifestohet bujaria. Bujaria e kujt” E Allahut. Ai i jep Muhammedit të gjitha të mirat, i jep dituri, sjellje të mirë, moral të lartë, shkathtësi pune etj. Mirëpo, këto të mira nuk bën t'i adhurojë, nuk bën të jepet pas tyre, duhet orientuar kah dhuruesi i atyre të mirave, nga Zoti i madhëruar dhe të gjitha adhurimet, të gjitha flijimet duhet bërë vetëm për hirë të Tij, e ashtu le të shohin idhujtarët kotësinë e tyre kur luten dhe sakrifikojnë për statuja, për gurë a drunj të gdhendur. Kevther mund të jetë një lumë në xhennet, që kush pi prej tij, nuk e kap më etja. Mund të jetë një krua i posaçëm për Muhammedin dhe ymmetin e tij. Reth fjalës kevther ekzistojnë njëzet e gjashtë mendime, por më i drejti duhet të jetë ai i ibni Abasit, sipas së cilit, kevther janë të mirat e shumta që ju dhanë Pejgamberit si: grada pejgamber, libri, urtësi e përsosur, shefaati, kroi, pozita e lavdishme (mekami mahmud), shumë ymmet, shumë çlirime të vendeve nga okupimi i armikut. Njëfarë As bin Vali, armik i përbetuar i Muhammedit paska thënë: Hiqnu atij se ai është farë e sosuri Këtë e kishte thënë kur Pejgamberit i vdisnin djemtë. E Zoti nuk mjafton me atë që i thotë Muhammedit se t'i kam dhënë të gjitha të mirat, por i thotë edhe atë: armiku yt është i papërkujtuar. Djemt tu janë të gjithë ymmeti, edhe djemt e armiqve do të përkujtojnë ty e jo babain e vet, si rasti i djalit të Ebu Xhehlit e shumë të tjerë, pra përkujtimi ndaj teje do të vazhdojë sa të vazhdojë jeta në fytyrën e kësaj toke, kurse armiku yt nuk do të përkujtohet as prej djemve të vet, pra ai është farësosur, i harruar e jo ti. Falënderoj Allahun e madhëruari