Komentimi
Muhammedit i thuhet: “A nuk ta hapëm zemrën tënde me dritën e Kur'anit, me mundësinë e pranimit të shpalljes, me udhëzimin dhe me besimin, së ajo më parë ishte e mbyllur, e shtrënguar, meqë nuk dinte për realitetin e së vërtetës, nuk kishte udhëzues edukativ. Ta hoqëm barrën e rëndë prej shpine, që të bënte të gjëmosh ashtu si kërset shpina e deves prej barrës. Pejgamberët nuk bëjnë mëkate, andaj kjo barrë nuk ka për qëllim faljen e mëkatit, por përpjekjet e Muhammedit për ta nxjerrë atë popull prej errësirës në dritë. Ndonjëherë kishte teprime përtej masës, andaj për të mirën e tij qortohej si, kur u dha leje disave të mos shkojnë në luftë, kur mori kompensim për robërit e Bedrit, kur u mrrol pse i foli i verbëri. Ky qortim edhe pse i lehtë, për Pejgamberin ishte i rëndë, andaj konsiderohej barrë, e Zoti ia fali. Ngritja më e madhe e famës dhe e autoritetit të tij duket kur emri i tij përmendet pranë emrit të Zotit, në shehadert, në ezan, në ikamet, në et-tehijjat, në hutbe e gjetiu. Është marrë premtimi edhe prej pejgamberëve të tjerë se do ta besojnë si vulë të të gjithë pejgamberëve. Pejgamberi ishte i shtrënguar pse nuk kishte fuqi sa ishte në Meke, ishte në vështirësi si edhe shokët e tij, pse idhujtarët i mundonin, i shtrëngonin, e në këtë sure, pasi që Zoti ia numëron të mirat e veta që ia dhuroi, ia kënaq shpirtin duke i premtuar se pas vështirësisë do të ketë lehtësim të madh, pse Ai ka për ta ndihmuar në përhapjen dhe në ngadhënjimin e fesë islame. Këtë e përsërit dy herë në shenjë përforcimi. E pas përpjekjve për thirrjen e njerëzve në besim e në rrugë të drejtë, Ai i thotë të kthehet e të lutet për Zotin e vet dhe tërë synimin e qëllimin ta orientojë te Ai. Në Sahihun e Muslimit përmendet një hadith, sipas të cilit Xhibrili i kishte ardhur Muhammedit qysh kur ai ishte fëmijë te nëna e tij për gjini, te Halimja dhe ia kishte hapur gjoksin dhe larë zemrën..., andaj disa mufesirinë hapjen e zemrës që përmendet në fillim të sures e lidhin me atë ngjarje. Falënderoj Zotin e madhëruari