Ta shpallëm vetëm këshillë (përkujtim) për atë që frikësohet.
4
(kjo është) Shpallje nga Ai që krijoi tokën dhe qiejt e lartë.
5
(E Ai) I Gjithëmëshirshmi u ngrit mbi Arshin (Fronin e Tij).
6
E Tij është çdo gjë që ekziston në qiej dhe në tokë dhe çdo gjë që gjendet midis tyre, edhe ç’ka nën dhe.
7
Prandaj nëse bën shprehjen (lutjen haptazi), Ai e di të fshehtën, madje edhe më shumë se kjo.
8
Ai është Allahu, nuk ka të adhuruar të vërtetë pos Tij, Atij i takojnë emrat më të bukur.
9
A të ka ardhur ndonjë njohuri për ndodhinë e Musait?
10
Kur ai e pa një zjarr, e i tha familjes së vet: “Rrini ku jeni, se vërejta një zjarr, e unë ndoshta do t’ju sjell ndonjë gacë prej tij, ose do të gjej te zjarri ndonjë udhërrëfyes”.
11
E kur shkoi tek ai (zjarri), u thirr: “O Musa!”
12
Vërtet Unë jam Zoti yt, hiq atë që ke mbathur (opingat a nallanet), se je në luginën e shenjtë Tuva.
Unë të zgjodha ty (për pejgamber), prandaj dëgjo mirë se ç’po të shpallet!
14
Vërtet, vetëm Unë jam Allahu, nuk ka zot tjetër pos Meje, pra Mua më adhuro dhe fal namazin për të më kujtuar Mua.
15
S’ka dyshim se Momenti (Kijameti) do të vijë patjetër, Unë e kam fshehur atë plotësisht; (do të vijë) për t’u shpërblyer çdo njeri për atë që ka bërë.
16
Prandaj të mos shmangë ty nga kjo ai që nuk i beson atij dhe që është dhënë pas dëshirave, se atëherë shkatërrohesh.
17
O Musa, ç’është ajo që ke në të djathtën tënde?
18
Ai (Musai) tha: “Ai është shkopi im, që të mbahem në të, dhe me të u shkund (gjethe nga drunjtë) dhenve të mia, dhe me të kryej edhe nevoja të tjera.
19
Ai (Allahu) i tha: “Hidhe atë, O Musa!”
20
Ai e hodhi atë, kur ja, ai një gjarpër i madh që lëvizte me shpejtësi.
21
(Allahu i) Tha: “Kape atë, e mos u frikëso, se Ne do ta kthejmë atë përsëri në gjendjen e mëparshme!”
22
Dhe fute dorën tënde në sqetullën tënde e do ta nxjerrësh atë të bardhë pa asnjë të metë. Kjo është një mrekulli tjetër.
23
(këtë e bëmë) Në mënyrë që të mundësojmë të shohësh disa nga argumentet Tona të mëdha.
24
“Shko te faraoni, se ai ka ngritur kokë (është bërë arrogant)”.
25
Ai (Musai) tha: “Ma zgjero (më ndihmo) gjoksin tim!
26
Dhe më lehtëso në këtë punë timen!
27
Ma zgjidh nyjen e gjuhës sime,
28
që ta kuptojnë fjalën time!
29
Më cakto një ndihmëtar nga familja ime,
30
Harunin, vëllain tim,
31
që me të të ma forcosh fuqinë time!
32
Bëma shok atë në punën time,
33
në mënyrë që të madhërojmë Ty më shumë,
34
dhe të përkujtojmë Ty shpesh!
35
Vërtet, Ti je Ai që na sheh dhe na i di punët”.
36
Ai (Allahu) tha: “O Musa, t’u dha ajo që kërkove!”
37
Ne edhe një herë ta dhuruam ty mirësinë Tonë.
Komentimi
Dy shkronjat e para, Ta dhe Ha janë sikurse edhe të tjerat në fillim të kaptinave, që sipas mendimit të një shumice dijetarësh, janë të pashpjegueshme - muteshabih. Sipas Ibni Abasit etj. do të thotë: O njeril Ka mendime se ato shkronja janë emër i Zotit, emër i Pejgamberit, emër i kaptinës, ose është: ““i lumi ai që ka gjetur rrugën e drejtë”, apo është “shkele tokën o Muhammed” etj. Zoti xh. sh. i thotë Muhammedit se Kur'anin nuk ia ka zbritur që me të ta mundojë atë, por si këshillë e dritë për atë që ia ka frikën Zotit, që krijoi gjithçka dhe prej fronit të vet udhëheq me gjithçka, prandaj i thotë se në asnjë moment nuk është i vetmuar dhe se lutjen mund ta shprehë si të dojë, me zë të lartë ose të ulët, sepse Zoti e di edhe atë që është në shpirtin e tij, e që nuk shprehet fare. Duke u kthyer Musai prej Medjenit për në Egjipt, e humb rrugën ngase ishte një natë shumë e errët e edhe e ftohtë. Papritmas në anën e majtë të rrugës sheh një zjarr dhe i thotë familjes: Rrini në vend derisa të shkoj te ai zjarr të marrë ndonjë unë të ndezur, ose të gjejë ndokë që do të më tregojë për rrugën. Mirëpo, kur ai afrohet sheh se nuk ishte zjarr por dritë, e Zoti e thërret, e duke i thënë se Ai ishte Zoti i tij, e urdhëron të zbathet dhe e njofton se gjendet në luginën e shenjtë Tuva. Pastaj, i thotë se atë e ka caktuar pejgamber dhe t'ia vërë veshin mirë asaj që po i shpallej, se Ai që e thërriste është vetë Zot dhe tjetër zot pos —
Atëherë kur nënën tënde e frymëzuam me atë që ishte frymëzim.
39
(Ne i thamë) “Vëre atë (fëmijë, Musain) në arkë, e mandej hidhe në lumë e lumi e hedh në breg, atë e merr armiku Im dhe i tij. E nga ana Ime mbolla (në zemra të njerëzve) dashuri ndaj teje, e që të edukoheshe nën mbikëqyrjen Time”.
40
Kur motra jote ecte (të përcillte) e thoshte: “A doni t’ju tregoj atë që do të kujdeset për të?” E Ne të kthyem te nëna jote, që të gëzohej ajo e të mos mbetej e pikëlluar. Ti e pate mbytur një njeri, e Ne të shpëtuam nga mërzia dhe të sprovuan me sprova të mëdha. Ti qëndrove me vite ndër banorët e Medjenit, e pastaj erdhe, o Musa, në kohën e caktuar”.
41
Dhe Unë të zgjodha ty për shpalljen Time.
42
Shko me argumentet e Mia, ti dhe vëllai yt, e mos e hiqni prej kujdesit të përmendurit ndaj Meje.
43
Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar.
44
Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet.
45
Ata të dy thanë: “Zoti ynë, ne kemi frikë, se do të na ndëshkojë menjëherë ose do t’i kalojë kufijtë kundër nesh”.
46
Ai (Allahu) tha: “Mos u frikësoni, se Unë (me ndihmën Time) jam me ju, dëgjoj (ç’do t’ju thotë) dhe shoh (ç’do të bëjë me ju)”.
47
I shkoni e i thuani atij: “Ne jemi që të dy të dërguar të Zotit tënd, lëshoji Beni Israilët të vijnë me ne, e mos i mundo! Ne të kemi ardhur me argumente nga Zoti yt, e shpëtimi është për atë që ndjek rrugën e drejtë.
48
Ne na është thënë, se dënimi është për atë që gënjen (të dërguarit) dhe ia kthen shpinën besimit”.
49
Ai (faraoni) tha: “E kush është Zoti i juve të dyve, o Musa?”
50
(Musai) Tha: “Zoti ynë është Ai që çdo sendi i dha formën e vet, pastaj e udhëzoi atë?”
51
Ai tha: “Si është gjendja e popujve të mëparshëm?”
Komentimi
— Tij nuk ka. Pos kësaj Ai thotë: Mua më përkujto gjatë faljes, e bëhu gati se kijameti pa tjetër ka për të ardhur, por Unë e kam lënë të fshehtë momentin, e ty të mos mashtorjë ndonjë që nuk e beson gjykimin para Zotit e është i dhënë pas qejfeve të kësaj bote, e të të merr në qafë edhe ty, sepse atë ditë do të shpërblehet secili për veprat që ka bërë. Këto porosi ia bën Zoti për ta forcuar Musain në bindje, sepse më vonë ai do të ballafaqohet me faraonin
Zoti xh. sh., e dinte se ç'kishte Musai në dorë, e ia bën pyetjen në mënyrë që ai ta përcjellë me vëmendje ngjarjen, sepse ai shkop i thatë, do të shndërrohet në bollë të gjallë, pra do të shohë një mrekulli të madhe. Musai nuk përfundon vetëm me përgjigjen në pyetje, por nga dëshira që ta shtojë edhe më tepër kënaqësinë e vet në bisedë me të Madhin, Zot, vazhdon duke i përshkruar cilësitë dhe dobitë e shkopit. Mrekullia e shndërrimit të shkopit në gjarpër të madh dhe të zbardhimit e të shkëlqimit të dorës në atë moment, ishte parapërgatitje për paraqitjen e atyre mrekullive më vonë para Kur u urdhërua të shkojë te faraoni, i cili e njihte veten si zot, Musai kërkoi ndihmën e Zotit për zbatimin e asaj detyre, kërkoi që t'i lëshohej gjuha e të jetë oratori më i mirë, t'ia bashkojë atij vëllain Harun si bashkëpunëtor dhe si pejgamber dhe ashtu të formojë një fuqi më të madhe.
332
قالَ عِلمُها عِندَ رَبّى فى كِتٰبٍ لا يَضِلُّ رَبّى وَلا يَنسَى
(Musai) Tha: “Dija për ata është te Zoti im, e shënuar në një libër. Zoti im nuk gabon e as nuk harron”.
53
(Zoti im) i cili për ju e bëri tokën si djep, për të mirën tuaj hapi rrugë nëpër të, lëshoi shiun prej së larti, e kjo mundësoi që të mbijnë bimë të llojeve të ndryshme.
54
Hani ju dhe kullotni kafshët tuaja (nga ato bimë). Vërtet, për të gjitha këto (që u përmendën) ka argumente për ata që kanë mendje të shëndoshë.
55
Prej asaj (tokës) Ne ju krijuam juve, e ju do t’ju kthejmë përsëri në të, e prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë.
56
Ne ia bëmë të mundshme atij t’i shohë të gjitha argumentet Tona, por ai i përgënjeshtroi ato dhe i refuzoi.
57
(Atëherë faraoni) Tha: “O Musa, a mos na ke ardhur, që me magjinë tënde të na nxjerrësh prej tokës sonë (prej Egjiptit)?
58
Edhe ne do të kundërvihemi me një aso magjie, pra cakto një kohë dhe një vend, që do të na përshtatet, e që nuk do ta thyenim, as ne, as ti”.
59
(Musai) Tha: “Koha e caktuar le të jetë dita e festës, në mënyrë që njerëzit të tubohen paradite".
60
Faraoni u kthye dhe tuboi magjistarët e vet dhe doli në kohën (dhe vendin) e caktuar.
61
Atëherë Musai iu tha atyre (magjistarëve): “Mjerimi është juaji, prandaj mos shpifni ndaj Allahut ndonjë gënjeshtër e t’ju shkatërrojë me ndonjë dënim, se pa dyshim ai që shpif ka dështuar keq”.
62
Ata (magjistarët) polemizuan për çështjen e tyre, por bisedën e bënë fshehurazi (nga masa).
63
Ata pastaj (pas bisedës së fshehtë) thanë: “Këta të dy janë magjistarë, që me magjinë e tyre duan t’ju nxjerrin nga toka juaj dhe ta zhdukin drejtimin (ideologjinë) tuaj, që pa dyshim është më i drejti”.
64
Pra, (meqë janë magjistarë) ju vendosni seriozisht çështjen tuaj dhe dilni në shesh tok të bashkuar, e ai që triumfon sot, ai ka arritur suksesin.
Komentimi
£ Pëvreç asaj që ia plotëson kërkesat e Musait, Zoti ia përmend aty edhe të mirat që ia ka dhuruar atij prej kur ishte foshnjë. Derisa faraoni i mbyste fëmijët e beni israilve, Zoti fuqiplotë e udhëzoi nënën e Musait ta vë foshnjën në një arkë (tabut) dhe ta hedhë në lumë. Motra e Musait e përcolli deri kur arka ra në duart e familjes së faraonit. Foshnja nuk pranoi gjinin e asnjë gruaje, atëherë motra e tij i tha familjes së faraonit, se ajo di për një grua të ndershme e besnike e cila do t'i japë gji foshnjës. Ata pranuan dhe e thirrën gruan (nënën e Musait) dhe kur ajo i afroi gjinin atij, ai menjëherë e thithi, për çka gruaja e faraonit u gëzua shumë dhe e luti gjidhënësen të qëndrojë dhe të jetojë në pallatin mbretëror. Ajo u ankua se nuk mund ta lë shtëpinë dhe fëmijët e saj, prandaj propozoi ta merrte foshnjën me vete, e kohë pas kohe do t'ua sillte ta shohin, gjë kjo të cilën ata € pranuan. Urtësia e Zotit bëri që foshnja t'i kthehej nënës së vet, e të mos e përjetojë ajo dhembjen për ndarjen nga fëmija e vet. Ai ia përmendi edhe ndihmën që ia pati ofruar kur e pat mbytur një njeri, pastaj ndihmën sa ishte në Medjen te Shuajbi dhe i tregoi se atë e ka zgjedhur pikërisht pejgamber dhe e urdhëroi që ai së bashku me Harunin të shkonin te faraoni e t'i tregojnë se nuk ka zot tjetër pos Allahut. Musai me vëllain e vet shkuan te faraoni dhe e thirrën ta besojë Zotin një, Krijuesin që përsosi çdo krijesë, dhe të vetmin furnizues, i cili edhe pas vdekjes do t'i ringjallë të gjithë Mirëpo, edhe pse Musai ta tregoi të gjitha mrekullitë që dokumentonin për Zotin fuqiplotë, faraoni nuk deshi t'i pranojë, nuk e njohu as Musain si pejgamber dhe u përpoq ta shpallte si magjistar.
Ata thanë: “O Musa, do të hedhësh ti apo ne po hedhim të parët?”
66
Ai (Musai) tha: “Jo, hidhni ju!” Kur ja, atij iu duk, se nga ajo magji e tyre litarët dhe shkopinjtë lëviznin (si gjarpërinj).
67
E Musai ndjeu në vetvete një farë frike.
68
Ne i thamë atij: “Mos ki frikë, është më se e sigurt, se ti do të jesh triumfues!”
69
Tani hidhe atë që ke në dorën tënde të djathtë (shkopin), që t’i gëlltisë ato që i bënë ata, sepse ajo që bënë ata nuk është asgjë tjetër pos mashtrim magjistari, e magjistari nuk do të ketë sukses kudo qoftë.
70
Atëherë (kur shkopi i Musait i gëlltiti) magjistarët u hodhën në sexhde e thanë: “Ne i besuam Zotit të Harunit dhe të Musait!”
71
Ai (faraoni) tha: “A i besuat atij para se t’iu jap unë leje? Ai (Musai) është prijësi juaj, i cili ua mësoi magjinë, unë do t’ua pres duart e këmbët tërthorazi, e do t’u var në trungjet e hurmave, e atëherë ju do ta kuptoni, se cili prej nesh ka dënim më të ashpër e më të vazhdueshëm?”
72
Ata thanë: “Betohemi në Atë që na krijoi, nuk të japim përparësi ty ndaj argumenteve që na erdhën, e ti bëje atë që mendon ta bësh, dhe mund ta zbatosh vetëm atë që i takon jetës së kësaj bote!”
73
Ne i besuam Zotit tonë, që Ai të na i falë gabimet dhe magjinë, me të cilën ti na detyrove. Allahu është më i Miri (në të shpërblyerit) dhe më i Përjetshmi (në të dënuar)!
74
Ai që i paraqitet Zotit të vet si kriminel, e ka xhehenemin, në të cilin as nuk vdes as nuk jeton.
75
Ndërsa ai që i paraqitet Atij besimtar e që ka bërë vepra të mira, të tillët i presin merita të larta,
76
(do ta presin) xhenete të Adnit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe aty do të jenë përjetë. Ky është shpërblimi i atij që është pastruar nga mosbesimi.
Komentimi
£ Edhe pse i pa mrekullitë, faraoni nuk deshi t'i pranojë, e Musain e quajti magjistar, duke i thënë se do të kundërvihemi edhe ne me magji. Musai caktoi vendin e kohën ku do të zhvillohen garat në magji. Caktoi ditën e një feste të tyre, në mënyrë që të tuboheshin sa më shumë popullsi, që ta përjetonin të vërtetën sa më shumë njerëz. Faraoni i thirri të gjithë magjistarët dhe ndër më të aftit prej tyre i zgjodhi shtatëdhjetë e dy sish. Para se të fillonin t'i provonin forcat, Musai ua tërhoqi vërejtjen magjistarëve për mëkatet e gënjeshtrës, andaj ata u frikësuan dhe biseduan fshehtas për atë që u tha Musai, por publikisht i quajtën magjistarë edhe Musain edhe Harunin. Musai nuk i paraqiti mrekullitë e veta i pari, por u tha atyre të fillonin. Kur i hodhën në atë fushë litarët dhe shkopinjtë e tyre, ata u dukën se u shndërruan në gjarpërinj të mëdhenj që barkas rrëshqitnin, sa që edhe Musai hetoi njëfarë frike. Atëherë Zoti e trimëroi, duke i thënë se magjia e tyre është mashtrim, mos të frikësohet por ta hedhë shkopin e vet. Kur Musai e hodhi shkopin e vet, ai u shndërrua në një bollë të madhe, e cila një nga një gëlltiti të gjitha mjetet e tyre, ndërsa njerëzit e shikonin me habi këtë ngjarje. Kur e panë këtë gjë magjistarët, kuptuan se nuk ishte punë magjie, por mrekulli e Zotit, andaj të gjithë u përulën në shenjë mirënjohjeje, pranimi dhe respektimi ndaj Allahut.
Ne i kumtuam Musait: “Udhëto natën me robërit e Mi, hapju atyre rrugë të terur në det, e mos ki frikë, se do të zënë, a do të fundosesh”.
78
Atyre iu vu prapa faraoni me ushtrinë e vet, po ata e pësuan në det ashtu si e pësuan.
79
Faraoni e humbi popullin e vet, e nuk e udhëzoi.
80
O Bijt e Israilit, Ne ju shpëtuam prej armikut tuaj, ua përcaktuam anën e djathtë të Turit (për shpalljen e Tevratit), ju furnizuam me rrëshirë (si mjalti) dhe me shkurtëza.
81
Hani nga të mirat që ua dhuruam, e mos u bëni përbuzës, se do t’ju godasë hidhërimi Im, e atë që e zë hidhërimi Im, ai ka mbaruar.
82
Nuk ka dyshim, se Unë e fal atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që përqendrohet për në rrugën e drejtë.
83
Po ty o Musa: “Ç’të nguti para popullit tënd?”
84
Ai u përgjigj: “Ja, ata janë pranë meje, e unë u nguta te ti, o Zoti im, që të jesh i kënaqur ndaj meje!”
85
Ai (Allahu) Tha: “Ne e sprovuam popullin tënd pas teje, dhe ata i hodhi në humbje Samiriu!”
86
Musai u kthye te populli i vet i hidhëruar e i pikëlluar dhe tha: “O populli im, a nuk iu premtoi juve Zoti juaj premtim të mirë, a mos u bë kohë e gjatë e ju e harruat premtimin, ose dëshiruat t’ju godasë hidhërimi nga Zoti juaj, prandaj e thyet besën, që ma keni dhënë?"
87
Ata thanë: “Ne nuk e thyem besën tënde me dëshirën tonë, por ne ishim ngarkuar me barrë të rënda nga stolitë e popullit e i hodhëm ato (në zjarr), e ashtu i hodhi edhe Samiriu”.
Komentimi
I dëshpëruar nga disfata, faraoni u kërcënua duke u thënë se Musai është mësuesi i tyre, prandaj ai do t'ua shkurtojë gjymtyrët e trupit nga një dorë e këmbë të djathtë e nga një të majtë. Mirëpo, edhe pas këtij kërcënimi, magjistarët që besuan Zotin, nuk u luhatën, i thanë se ai mund t'i gjykojë në këtë jetë, por kjo është e shkurtër, e se nuk dëshirojnë t'i paraqiteshin Zotit në ditën e gjykimit si kriminelë, e ta meritonin xhehenemin, por do të donin t'i paraqiteshin si besimtarë të sinqertë e me vepra të mira ta gëzojnë shpërblimin e vërtetë.
E ai (Samiriu) ua ndërtoi atyre një viç me trup që pëlliste, e ata thanë: “Ky është zoti juaj dhe zoti i Musait, po ai (Musai) e ka harruar”.
89
A nuk e kuptonin ata se ai (viç), as nuk u përgjigjej atyre, e as nuk kishte mundësi t’ju sillte ndonjë dobi a dëm.
90
E Haruni iu pat thënë atyre më parë: “O populli im, ju vetëm u sprovuat me të, pse Zoti juaj është i Gjithëmëshirshmi, andaj ejani pas meje dhe më dëgjoni për këtë që po ua them”.
91
Ata i thanë: “Ne nuk do t’i ndahemi këtij (adhurimit të viçit), deri sa të kthehet te ne Musai!"
92
Ai (Musai u kthye e) tha: “O Harun ç’të pengoi ty kur i pe se morën rrugën e gabuar,
93
e ti të mos e vazhdosh rrugën time? A mos e kundërshtove edhe ti porosinë time?”
94
Ai (Haruni) tha: “O bir i nënës sime, mos më kap, as për mjekrre as për flokësh, se unë u frikësova, që do të thuash: I përçave Beni Israilët dhe nuk e ke respektuar porosinë time?”
95
Ai (Musai) tha: “E si ishte puna jote, o Samiri?”
96
Tha (Samiriu): “Unë pashë atë që ata nuk e panë, e mora një grusht nga gjurma e të dërguarit (nga fërkemi i kalit të Xhibrilit) dhe ia hodha atij (viçit) dhe kështu më mashtroi vetja”.
97
Ai (Musai) tha: “Prandaj largohu, sepse sa të jeshë gjallë ke për të thënë: (këdo që e sheh) “Mos m’u afro!” E ty të pret edhe një moment (dënim) i pathyeshëm. E ti tash shikoje zotin tënd që e adhurove bindshëm, e tani atë do ta djegim e do ta bëjmë shkrumb dhe hirin e tij do ta shpërndajmë nëpër det”.
98
I adhuruari juaj është vetëm Allahu, që përveç Tij nuk ka të adhuruar të vërtetë, e dituria e Tij ka përfshirë çdo send.
Komentimi
£ Derisa faraoni vazhdonte arrogancën e vet, Zoti e urdhëroi Musain të largohej prej aty natën, e i thotë t'i mëshojë me shkopin e tij detit, e ai do të ndahet dhe do të krijohen rrugë të terura nëpër të, ndërsa populli i tij mos të frikësohen se do t'i mbysë uji ose se do t'i zë faraoni me ushtrinë e vet. Musai kaloi mirë me popullin e vet përtej detit, e faraoni që iu kishte vu prapa tyre duke i ndjekur, u fut në ato rrugë të detit, por uji u bashkua dhe i përmbyti. Zoti xh. sh. ua përkujton beni israilve të mirat që ua dhuroi dhe i këshilloi t'ju përmbahen udhëzimeve të Tij. Musai shkonte në Turë për ta pranuar shpalljen, e me të ishin disa pari që i kishte zgjedhur ai, por nga dashuria për bisedën që do ta bëjë me Zotin, u ngut dhe eci para tyre, Gjatë kohës sa qëndroi Musai në Turë, populli i tij u mashtrua prej njëfarë “Samirijj”. Si duket ai kishte qenë më parë si adhurues i lopës, kishte pranuar fenë e beni israilve, rridhte prej familjes Samirijj,ndërsa emrin e kishte Musa. Kështu ai popull filloi ta adhurojë një viç që Samirijja e mbaroi prej stolisë e që e kishin huazuar beni israilët prej kibtasve. Stolisë së shkrirë në zjarr i kishte dhënë formë viçi,e si thoshte Samirijja, ia kishte hedhur një grusht dhë, që e kishte marrë prej gjurmës së këmbës së kalit, në të cilin kishte ardhur Xhibrili për ta dërguar Musain në Tur.
Po kështu, Ne të rrëfejmë ty për disa nga ndodhitë, që kanë kaluar më herët dhe nga ana jonë ta dhamë ty shpalljen plot përkujtime.
100
Kush i kthen shpinën kësaj (shpalljes - Kuranit), ai do ta bartë në Ditën e Kijametit barrën më të rëndë.
101
Nën atë do të qëndrojnë përgjithmonë. Sa barrë e keqe është për ta në Ditën e Kijametit.
102
Ditën kur i fryhet surit (bririt), atë ditë Ne i tubojmë mëkatarët symavijosur (të verbër, të shëmtuar).
103
E ata pëshpërisin mes vete: Nuk qëndruat (në Dunja) më shumë se nja dhjetë ditë.
104
Ne më së miri e dimë se çka flasin ata, e edhe atë kur më i mençuri prej tyre iu thotë: “Nuk qëndruat më shumë se një ditë!”
105
Ty të pyesin edhe për kodrat, thuaj: “Zoti im do t’i bëjë thërrmija të shpërndara”.
106
Dhe vendin e tyre do ta bëjë rrafsh pa farë bime e ndërtese.
107
E nuk do të shohësh në të, as ultësirë, e as lartësirë.
108
Atë ditë ata do të shkojnë pas thirrësit, e nuk do t’i largohen atij, e para të Gjithëmëshirshmit ulen zërat e nuk dëgjohet tjetër pos një zë i ulët.
109
Atë ditë nuk bën dobi, as ndërmjetësimi, përveç atij të cilin e ka lejuar i Gjithëmëshirshmi të ndërmjetësojë dhe për të cilin e pëlqeu ndërmjetësimin.
110
Ai i di ato që ishin para tyre dhe ato që vijnë pas, po dija e tyre nuk mund ta përfshijë Atë.
111
E fytyrat (e mëkatarëve) e turpëruara i përulen të Përjetshmit, të Gjithfuqishmit, sepse ka dështuar ai që barti padrejtësinë.
112
Kush është besimtar dhe bën vepra të mira ai nuk i frikësohet ndonjë padrejtësie e as ndonjë mungese (në shpërblim).
113
Kështu Ne e shpallëm këtë Kuran arabisht dhe përsëritëm në të vërejtjet, në mënyrë që ata të ruhen ose ai (Kurani) t’u sjellë atyre përvojë mësimi.
Komentimi
Kjo bëhej gjoja se vetëm Samirijja e kishte parë atë rast të Xhibrilit dhe se viçi pëlliste si të ishte i gjallë. Zoti xh. sh. e njoftoi Musain sa ishte ende në Turë për devijmin e popullit të tij, andaj ai u kthye shumë i zemëruar dhe nga hidhërimi e zuri të vëllain për flokësh dhe e qortoi, por Haruni u arsyetua. Samirijja u leçit nga i gjithë populli, e viçin e punuar e dogji Musai duke mos i lënë as hirin dhe kështu asgjësoi atë bindje, dhe i thirri të adhuronin vetëm Allahun, të Gjithëdijshmin. Me tregimin e kësaj ngjarjeje, Zoti xh. sh. vërteton dërgatën e Muhammedit, i cili, sikur të mos ishte njoftuar nga Zoti, nuk do të dinte asgjë për të kaluarën.
I Lartë është Allahu, Sundimtar i vërtetë. Ti mos nxito me Kuranin para se të përfundojë shpallja e tij te ti, dhe thuaj: “Zoti im, më shto dituri!”
115
Ne i patëm urdhëruar edhe Ademit (të mos i afrohej pemës), po ai harroi, pra tek ai nuk gjetëm vendosmëri.
116
Përkujto kur Ne iu thamë engjëjve: “Bëni sexhde ndaj Ademit, ata i bënë, pos Iblisit, i cili nuk deshi”.
117
E Ne i thamë: “O Adem, ky është armik yti dhe i bashkëshortes tënde, pra mos t’ju nxjerrë kurrsesi nga xheneti, e të të vërë në vështirësi (për të siguruar mjetet e jetesës)".
118
Ti aty (në xhenet) nuk ke për të qenë i uritur, e as nuk ke për të mbetur i zhveshur.
119
Aty nuk ke për të pasur etje e as nuk do të kesh vapë.
120
Por atë e ngacmoi djalli duke i thënë: “O Adem, a do të të tregoj për pemën e pavdekshmërisë dhe të sundimit të pazhdukshëm!”
121
Ata të dy hëngrën nga ajo (pemë) dhe që të dy u zhveshën, e filluan ta mbulojnë veten e tyre me gjethe, që i mblidhnin nëpër xhenet, dhe kështu Ademi theu urdhrin e Zotit të vet dhe gaboi.
122
Mandej Zoti i vet e bëri atë të zgjedhur, ia pranoi pendimin dhe e vuri në rrugën e drejtë (të vendosur).
123
Ai (Allahu) iu tha: “Zbritni prej aty, që të gjithë do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Nëse ju vjen nga Unë udhëzim (libër e pejgamber) kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në Dunja), e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër)".
124
E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e Kijametit do ta ringjall të verbër.
125
Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?”
Komentimi
Pasi që përshkruhet tregimi për Musain, përmendet se ai tregim i rrëfehet Muhammedit nga ana e Zotit, përmes këtij Kur'ani që është plot këshilla e dituri të dobishme, ndërkaq ai që refuzon mësimet e tij, ai do ta ngarkojë keq veten ditën e kijametit, kështu që kur t'i fryhet surit për ringjallje, ata do të ngriten të shëmtuar, me fytyra të nxira, e sy të mavijosur dhe do të kuptojnë se jeta e kësaj bote nuk ka qenë më shumë se një ditë. Idhujtarët i thonin Muhammedit se ç'mund të bëjë Zoti i tij me këto kodra, me këta shkëmbinj e me këto male, e këtë e bënin në shenjë talljeje. Kur'ani sqaron se ato do të bëhen hi e pluhur, e toka do të jetë e rrafshët, pa asnjë send mbi faqen e saj, ndërsa thirrjes për tubim në vendin e caktuar për gjykim, i përgjigjen të gjithë pa bërë zë. Atë ditë mund të ndërmjetësojnë për shefaat pejgamberët etj., vetëm për atë njeri, për të cilin Zoti lejon. Ata që refuzuan mësimet e Zotit, do të dalin para Tij të turpëruar, sikurse të zënët rob, ndërsa ata që besuan e bënë vepra të mira, do ta gëzojnë në mënyrë të plotë shpërblimin e merituar. Kur'ani përsërit shumë herë vërejtjen për rrezikun nga dënimi në zjarr të xhehenemit, u flet idhujtarëve në gjuhën e tyre, në mënyrë që ata ta kuptojnë atë e të mbledhin mend, se fundi i fundit, madhëria e Allahut është e lartë, Ai udhëheq me gjithçka dhe vetëm Atij i takon adhurimi, e kurrsesi nuk ka nevojë për adhurimin e idhujtarëve, ata shkatërrojnë veten. Thuhet se Muhammedi ngutej dhe lexonte Kur'anin që i shpallej së bashku më Xhibrilin duke ia lexuar
Ai (Allahu) thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona, që t'i ofruam, ashtu je ti i harruar sot".
127
Po kështu Ne e shpërblejmë edhe atë që zhytet në mëkate dhe nuk i beson argumentet e Zotit të vet, po dënimi në botën tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm.
128
A nuk e kanë të qartë ata, se sa breza para tyre i kemi zhdukur, e këta ecin nëpër ato vendbanime të tyre. Në gjurmët e atyre ka fakte për ata që kanë arsye të shëndoshë.
129
E sikur të mos ishte vendimi dhe afati i caktuar më herët nga Zoti yt, dënimi do t’i kapte ata.
130
Prandaj ti bëhu i durueshëm ndaj asaj që thonë ata, dhe duke falënderuar Zotin tënd, falu para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, falu edhe në orët e natës dhe në skajet e ditës, në mënyrë që të gjesh kënaqësi (me shpërblim).
131
Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete me të cilën i bëmë të kënaqen disa prej tyre (mosbesimtarë), e për t’i sprovuar me të, sepse shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe është i përjetshëm.
132
Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, sepse Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata), ardhmëria e mirë është e atij që ruhet.
133
Ata thanë: “Përse nuk na solli ai ndonjë argument nga Zoti i vet? A nuk iu erdhi atyre sqarim (në Kuran) për atë që ishte në broshurat e mëparshme”.
134
Dhe sikur t’i ndëshkonim ata me ndonjë dënim para tij (para se ta shpallim Kuranin), ata do të thonin: “Zoti ynë, përse nuk na çove ndonjë të dërguar, që t'iu përmbaheshim fakteve të Tua para se të poshtëroheshim e të mjeroheshim”.
135
Thuaj: “Secili është duke pritur, pra pritni edhe ju, se së shpejti do ta kuptoni, se kush ishin ithtarët e rrugës së drejtë dhe kush e gjeti të vërtetën”.
Komentimi
natyrisht ai, prandaj i thuhet që të mos ngutej e të mos ketë frikë se do ta harrojë atë. Ose ngutej e gjykonte sipas Kur'anit pa iu sqaruar sa duhet nga ana e Zotit domethënia e tij, andaj i thuhet të mos ngutej para se të sqarohej mirë se cili është qëllimi i tij.
Ngjarja rreth përuljes së engjëjve me urdhërin e Zotit ndaj Ademit dhe e refuzimit të shejtanit, është përsëritur në shtatë kaptina të Kur'anit me qëllim që besimtarët të kuptojnë se duhet zbatuar urdhërin e Zotit, duhet larguar prej ndalesave dhe rikujtuar armiqësinë e shejtanit, të cilën ai e shfaqi kundër babait të tyre, Ademit, e të cilën e shfaq edhe ndaj secilit pasardhës të Ademit. Zoti xh. sh. ia bëri me dije Ademit armiqësinë e dreqit, ia bëri me dije telashet që do ta goditnin nëse do të dëgjonte mësimet e tij, por shejtani, me vesvesen e tij, e preku Ademin në dy pikat që janë më të ndieshmet dhe më lakmueset për njeriun në përgjithësi. E preku në pavdekshmëri, d.m.th. në jetë të amshueshme dhe në pasuri të pashtershme. Që të dyja këto ia ka anda njeriut, andaj, jo nga lakmia për të ngrënë nga ajo pemë, por nga lakmia e fitimit të atyre dy cilësive, Ademi u mashtrua. Si masë e parë e ndëshkimit të Ademit dhe të Havës, ishte ajo kur ata u zhveshën prej petkut, që ishin rreze drite të cilat mbulonin trupin e tyre, e kur u zbuluan, ngarendin e mblidhnin gjethe të pemevë të xhennetit duke mbuluar avretin e tyre.
339
Komentimi
Në xhenet jetën e kishin të garantuar pa kurrfarë mundi, e kur u larguan prej aty çështja e jetës e gjallërimit mbeti përgjegjësi e njeriut, e si rrjedhojë e saj paraqiten mosmarrëveshjet dhe grindjet mes njerëzve, prandaj u thuhet, se do të jenë armiq të njëri-tjetrit, nëse nuk iu përmbahen mësimeve të Zotit, që do t’i sillte me shpallje përmes pejgamberëve. Kush ua kthen shpinën porosive të Zotit ai edhe në këtë jetë do të jetë gjithnjë në vështirësi, por mjerimi kryesor është, se ai në botën tjetër do të jetë i mënjanuar nga mëshira e Zotit. Muhamedi a.s. urdhërohet të jetë i durueshëm ndaj përgojimeve të armiqve, urdhërohet t’i falë pesë kohët e namazit e të mos ia ketë lakmi atyre që përjetojnë kënaqësi të kësaj jete, pse kjo jetë është vetëm sprovë, është begati e shkurtër dhe e zhdukshme, e të mirat e Zotit janë shumë më të mëdha e të përjetshme. Pra, çështja e kësaj jete nuk duhet të jetë preokupim e ta largojë njeriun nga namazi dhe përkujtimi ndaj Zotit. Idhujtarëve iu erdhi Muhamedi a.s. me Kuran në të cilin përkshkruheshin ngjarjet e shënuara në librat e mëparshëm, me çka dokumentohej, se Kurani ishte mrekulli e shpallur prej Zotit, madje edhe në librat e hershëm kishte shënime për ardhjen e Muhamedit a.s., e të Kuranit, e megjithëkëtë ata kërkonin ndonjë mrekulli tjetër, prandaj iu thuhet të pritnin, se do të shihnin, se cila ishte rruga e drejtë, e tyre ose ajo e besimtarëve të drejtë, e besimtarëve të besimit islam.